Qysh prej fundit të shkurtit, kur Muzeu i Kosovës e ka hapur ekspozitën bazë, ky institucion është vizituar nga mbi 18 mijë veta.
Secili prej tyre i ka parë artefaktet arkeologjike dhe historike pa paguar kurrfarë vlere monetare, shkruan sot “Koha Ditore”.
Këtë shërbim bashkë me shpjegimet e ciceronëve nuk e ofron falas asnjë Muze Kombëtar në rajon. Por një gjë të tillë Muzeu i Kosovës do të vazhdojë ta bëjë, të paktën deri në fund të këtij viti.
Ky institucion planifikon që nga janari i 2019-s të fillojë të shesë bileta për krejt ata që duan ta shohin ekspozitën bazë. Menaxhmenti i MK-së tashmë e ka hartuar një draft-rregullore për këtë çështje. Dokumenti i është dërguar Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit.