Malik Halçe është pianist nga Prizreni. Ka lindur më 1995. Mësimet e para për muzikë i ka marrë në shkollën “Lorenc Antoni” në Prizren.
Më 2009 është regjistruar në konservatorin shtetëror pranë arteve të bukura “Mimar Sinan” në Stamboll. Ka fituar çmimin e dytë në konkursin e talenteve të reja në Stamboll më 2012. Çmimin e parë në konkursin ndërkombëtar të pianos “Pianisti i Ri” në Kosovë, shkruan sot “Koha Ditore”.
Më 2015 ka performuar në DAM Festival me orkestrën e Filarmonisë së Kosovës. Më 2016 ka diplomuar nga Konservatori. Më 2017 ishte pjesë e “Miami Piano Festival”, ku ka dhënë koncerte të shumta dhe ka bashkëpunuar me pianistë të njohur. Malik Halçe së fundmi ka performuar në kuadër të festivalit të pianos “Chopin Piano Fest”.
Halçe është personazhi i kësaj jave që rrëfehet në rubrikën e përjavshme “7 Shkronjat” në “E diela e Koha Ditore”.
Muzika ka qenë dhe vazhdon të jetë arratisja më e mirë nga realiteti. Është shoqërimi më i mirë në ditët e mia të lumtura, të pikëlluara, dhe në ditët kur nuk di as çka të ndiej as si ta ndiej. Është art që e përmirëson veten. Në çastet kur fjalët nuk flasin, muzika flet!