Muzika në skenën tonë është përçudnuar, po projekton te të rinjtë një jetë false

Prishtinë | 05 Gus 2023 | 18:36 | Nga Bujar Meholli

Muzika, funksioni i së cilës mbi individin është primordial, në skenën tonë është përdhosur aq shumë duke u blatuar në shoqëri përmes instalimit të një shije tepër të keqe, madje të dëmshme. Sikur shumëçka sot, edhe muzika është krejt performative dhe e stisur, ngatërruar me rrugaçëri. Ajo s’buron prej brendësisë. Është veç një nga mjetet manipuluese e denigruese të artit dhe shpirtit. Nietzsche do të shprehej se jeta me këtë muzikë mjerane është gabim e shpërfytyrim.

Ndjej keqardhje të thellë kryesisht për të rinjtë dhe të rejat që sot ushqehen me këto ritme të ngatërruara, të përçudnuara, fusin në kokë tekste të mjera që, në masë të madhe, të neverisin. Duke projektuar një jetesë false, me pamje të rreme glamoroze e luksoze, që gjithsesi ndikon negativisht tek rinia, muzika e sotme (e pashkëputshme prej videoklipit) operon mbi terma thellësisht komercialist; me këtë avaz ajo po merr më qafë të rinjtë që duan t’i shëmbëllejnë asaj bote, atij lifestyle-i fiktiv, ndaj bëhen agresivë, të padurueshëm, prepotentë e seksistë, sepse janë mbrusur me këtë shije të përçudnuar, krejtësisht joartistike. Si të tillë, të rinjtë, do të duhej ta braktisnin një orë e më parë!

Ndaj është esenciale/jetike të bëhet në mënyrë programatike edukimi i brezave të rinj me letërsi e muzikë të mirë, sugjestion poetik, fjalë të bukura që zgjojnë imagjinatën, melodi të lëmuara, zëra/vokale të stërvitura, në mënyrë që ta kultivojnë shijen artistike, të cilën dorën në zemër populli shqiptar e ka pasur, le të themi, kah fundi i shekullit të kaluar dhe në dekadën e parë të shekullit të ri.

Të ngjashme