Burri në moshë nxjerr nga çanta një fizarmonikë të madhe me ngjyrë të kuqe. Rripat i vendos në krahë. Në fillim nuk është i sigurt. Duket i ndrojtur. Kishte kaluar shumë kohë.
Papritur i shtypi sustat e bardha dhe me gishtërinj hiqte pluhurin në muzikën 50-vjeçare që kishte në krahë ai, përcjell sot Koha Ditore.
Derisa qëndron në cep të trotuarit, çon pak kokën dhe fillon të këndojë. Me muzikën e tij shtyu banorët që të dilnin jashtë një apartamenti të afërt. U mblodhën rreth tij dhe duartrokitnin. Askush nuk i kuptonte fjalët. Këndonte në një gjuhë që ata nuk e kuptonin. Kjo nuk kishte aspak rëndësi. E dinin se për çfarë ishte kënga: Gëzim, gëzim i pastër.
Largimi nga shtëpia
Në kërkim të një jete më të mirë, Ylli Brekofca u largua nga Shqipëria në vitin 2016. Në dhjetorin e po atij viti arriti në qytetin Portland të Meines në ShBA. Ishte 64-vjeçar dhe nisi nga e para.
Brekofca la prapa çdo gjë që nuk ia zinin dy valixhe të vogla. La në shtëpi edhe fizarmonikën. Instrumenti ishte shoku i tij më i mirë që prej fëmijërisë. Ai mendoi se askujt në Maine nuk do t’i interesonte muzika shqiptare, apo këngët popullore që i kishte mbledhur gjatë jetës së tij.