Myftiu i Bashkësisë Islame të Kosovës, Naim Tërnava, ka pritur sot në një takim shefen e UNMIK-ut, Caroline Ziadeh.
Sipas një njoftimi nga UNMIK-u, Ziadeh dhe Tërnava kanë biseduar lidhur me gjendjen aktuale të marrëdhënieve ndërfetare në Kosovë.
“PSSP Ziadeh shprehu vlerësimin e saj për përkushtimin e kryemyftiut për të nxitur dialogun, për të mbrojtur tolerancën dhe për të promovuar bashkëjetesën”.
“Ziadeh theksoi rëndësinë e udhëheqësve fetarë si kontribues kryesorë në përpjekjet për paqe. Duke e njohur pozicionin e tyre unik për të ndikuar në ndryshime pozitive, ajo përsëriti rolin thelbësor që Bashkësia Islame ka në konsolidimin e paqes dhe stabilitetit në Kosovë dhe më gjerë”, thuhet në njoftimin e lëshuar pas takimit.
UNMIK (Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë) ishte vendosur si Administratë e Përkohshme në Kosovë, bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, e cila u miratua në qershor 1999, pas sulmeve ajrore të NATO-s që i dhanë fund kontrollit të Beogradit mbi Kosovën.
UNMIK-u vazhdon të qëndrojë ende në Kosovë megjithëse roli i tij është tashmë minimal. ShBA-ja dhe shtetet aleate të Kosovës kanë kërkuar disa herë që Misioni i UNMIK-ut duhet ta përfundojë edhe formalisht mandatin, pasi puna e tij ka përfunduar prej kohësh. Por, kjo është kundërshtuar nga Rusia dhe disa shtete të tjera, që e kundërshtojnë pavarësinë e Kosovës.