Me rastin e Kërshëndellave, Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava, i ka dërguar Ipeshkvit të Kosovës, Dodë Gjergjit, telegram urimi me ç’rast ka thënë se festat fetare kanë bashkuar shqiptarët derisa kanë ndërtuar paqen e dashurinë ndërmjet tyre.
Më poshtë gjeni të plotë telegramin e urimit nga Tërnava me rastin e Kërshëndellave:
I nderuari ipeshkëv Dodë Gjergji,
Me rastin e festës së Kërshëndellave, kam nderin e kënaqësinë t’ju uroj e përgëzoj sinqerisht Ju, të gjithë meshtarët tuaj, si dhe besimtarët e krishterë duke ju dëshiruar shëndet, mbarësi e lumturi.
Kërshëndella është festë që në vete simbolizon lindjen, jetën e mbarësinë, si dhe porosinë për ndërtimin e shoqërisë së ndershme e të moralshme, parime këto humane për të cilat njerëzimi ka nevojë gjithherë.
Zotni Ipeshkëv, festat fetare te ne gjithherë kanë qenë momente që na kanë bashkuar në të mirë, na kanë bërë më humanë, më unikë e më të dashur dhe nëpërmjet këtyre vlerave edhe kemi ndërtuar e kultivuar respektin, dashurinë, mirëkuptimin, ndërgjegjësimin, paqen e qetësinë.
Zotni Ipeshkëv, nëpërmjet jush, uroj e përgëzoj edhe të gjithë praninë ndërkombëtare katolike në Kosovë.
Duke ju përshëndetur, Ju dëshiroj shëndet, mbarësi e lumturi.
Me respekt,
Myftiu i Kosovës
Mr. Naim Tërnava