Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava, sot dha mesazhin me rastin e festës së Fitër Bajramit, raporton Ekonomia Online.
Tërnava tha se në këtë natë të bekuar kërkohet që ta vlerësojmë misionin e njeriut në këtë botë duke ruajtur një ekuilibër në mes shpirtërores e materiales.
“Pas dy viteve të shkuara që i kaluam në përballje me pandeminë Covid-19, kësaj radhe, falë Zotit të Madhëruar, Ramazanin që po e përmbyllim dhe festën e Fitër-Bajramit nga e cila na ndajnë vetëm edhe pak orë, e shijuam pa masa kufizuese, rikthyem atmosferën e Ramazanit në shtëpitë tona, bëmë namaze e ibadete nëpër xhamitë tona anekënd vendit, vizituam njëri-tjetrin, me një fjalë, shijuam mirësitë e Ramazanit ashtu siç e meriton ky muaj i bekuar” , tha mes tjerash, kryemyftiu i Kosovës.
Urimi i plotë i Myftiut të Kosovës, Naim Tërnava, me rastin e festës së Fitër-Bajramit:
Me emrin e Zotit, Mëshiruesit, Mëshirëplotit!
Falënderimi i takon Zotit të botëve, Atë e madhëron çfarë ka në Tokë e çfarë ka në qiej, Ai është i Gjithëpushtetshmi, Absoluti.
Salavatet dhe selamet tona ia dërgojmë më të mirit të njerëzisë, Muhamed Mustafasë, familjes së tij të pastër dhe shokëve të tij besnikë.
Të dashur besimtarë,
Të nderuar qytetarë të Kosovës,
Vëllezër e motra!
Kam nderin që sot, në këtë natë të madhe, në natën e Fitër-Bajramit, t’u drejtohem të gjithë besimtarëve myslimanë me rastin e përfundimit të muajit të bekuar të Ramazanit, gjatë të cilit, besimtarët përmes agjërimit plotësuan një kusht të besimit, me përkushtim, lutje e ibadete, solidaritet e bamirësi, mbështetje për të tjerët dhe ndjeshmëri të veçantë për të gjithë, pa dallim.
Sonte, në kohën e iftarit, besimtarët përmbyllin muajin e agjërimit, shijojnë mirësitë e natës së madhe të Bajramit dhe bëhen gati ta përjetojnë madhështinë e festës së Fitër-Bajramit, festë kjo që troket tek të gjitha shtresat e popullatës me porosi e masazhe të ngrohta, gjithnjë në funksion të afrimit me rahmetin e Krijuesit të gjithësisë, i Cili për agjërimin ka premtuar shpërblim të veçantë.
Agjërimi ishte ibadet sic e perjetuam edhe ne kete muaj që në të gjitha dimensionet e tij shpreh përkushtimin, devotshmërinë, bindjen e sakrificën për Krijuesin, bëri që shoqëria të jetë më e socializuar, të jemi më pranë njëri-tjetrit, t’i mbështesim e të jemi pranë prindërve, vëllezërve, farefisit e komunitetit, gjë që besimtarin, por edhe komunitetin e ndërgjegjëson dhe e fisnikëron për misionin e tij në këtë botë.
Vëllezër e motra!
Pas dy viteve të shkuara që i kaluam në përballje me pandeminë Covid-19, kësaj radhe, falë Zotit të Madhëruar, Ramazanin që po e përmbyllim dhe festën e Fitër-Bajramit nga e cila na ndajnë vetëm edhe pak orë, e shijuam pa masa kufizuese, rikthyem atmosferën e Ramazanit në shtëpitë tona, bëmë namaze e ibadete nëpër xhamitë tona anekënd vendit, vizituam njëri-tjetrin, me një fjalë, shijuam mirësitë e Ramazanit ashtu siç e meriton ky muaj i bekuar.
Dashtë Zoti që të mos përballemi më me masa kufizuese, të cilat qenë të domosdoshme, por krijuan një lloj distance ndërmjet nesh.
Në këtë natë të madhe, në prag të festës së Bajramit, lutemi e angazhohemi që në botë të mbretërojë paqja, mirëkuptimi, harmonia e solidariteti. Në këtë natë të bekuar, kërkohet nga ne ta vlerësojmë misionin e njeriut që e ka në këtë botë, duke ruajtur një ekuilibër ndërmjet shpirtërores e materiales. Në kohën që po jetojmë, njerëzimi sikur ka harruar vlerat shpirtërore, duke e bërë kështu shoqërinë më materialiste, realitet ky që ka sjellë konflikte, gjakderdhje, dëbime e shkatërrime në tokë.
Edhe në këtë natë, në prag të Fitër-Bajramit, kur ne po përgatitemi për të festuar, në shumë vende të botës njerëzimi po kalon ditë të vështira me trazira e konflikte, nga të cilat po pësojnë qytetarët e pafajshëm. Krijuesi ynë e do paqen, e do qetësinë, e do mirëqenien dhe sigurinë.
Në prag të festës së Fitër-Bajramit, lusim Zotin që kudo në botë të mos ketë trazira, të mbretërojë paqja, siguria dhe mirëqenia për të gjithë.
Vëllezër e motra!
Ashtu si në tërë botën myslimane, festa e Fitër-Bajramit, është ndër festat më të dashura, më familjare e më popullore, e shtresuar thellë në identitetin dhe kulturën e popullit tonë.
Ta presim Fitër-Bajramin të lumtur sepse kemi kryer ibadetin e agjërimit, të gëzuar me familjet e farefisin tonë, duke qenë gjithnjë të dobishëm për komunitetin e vendin tonë. T’i kujtojmë ata që kanë shkuar para nesh nga kjo dynja, ta respektojmë njëri-tjetrin, të jemi pranë atyre që kanë nevojë për ne, sepse kjo festë bart në vete edhe solidaritetin, bamirësinë e mbi të gjitha unitetin e harmoninë.
Vëllezër e motra!
Duke lutur Zotin që ta ketë pranuar agjërimin, lutjet, ibadetet dhe veprat tona të mira, kudo që jeni, ju përgëzoj e ju uroj të gjithëve festën e Fitër-Bajramit.
Me hair e me të mira na qoftë Fitër-Bajrami!