Qyteti i tretë për nga madhësia në Gjermani, Mynihu, ka vendosur masa të reja me qëllim të parandalimit të përhapjes së koronavirusit pas shtimit të infeksioneve.
Në mesin e masave të reja është obligimi për të përdorur maska në pjesë të caktuara të qytetit, shkruan The Guardian.
Përpos maskave, kryetari i qytetit, Dieter Reiter, bëri të ditur se do të ndalohen tubimet me më shumë se pesë persona, do të ndalohet përdorimi i alkoolit në vende publike dhe do të ndalohen festat me më shumë se 25 pjesëmarrës.
Një gazetë lokale raportoi se përdorimi i maskave do të jetë i detyrueshëm në Marienplatz, Viktuealienmarkt dhe Sendlinger Strasse.
Ndërkohë presidenti i Bavarisë, Markul Soeder, më herët la të kuptohet se do të ketë rregulla të reja të karantinës për udhëtimet me qëllime sportive.
Sipas gazetës “Munchner Merkur”, cak i tij janë tifozët e klubit futbollistik Bayern Munchen, të cilët duan të udhëtojnë në Budapest për Superkupë më 30 shtator. Pritet që autoritetet të kërkojnë nga këta tifozë që të futen në karantinë kur të kthehen nga Hungaria.