Në Kosovë, përmes aktiviteteve të ndryshme, po synohet promovimi i tolerancës fetare. Toleranca, mirëkuptimi dhe bashkëjetesa ndërmjet qytetarëve, potencohen si vlera mbi të cilat është ndërtuar shteti i Kosovës.
Kështu, thonë disa të rinj që përfaqësojnë besimet dhe institucionet fetare në një debat të organizuar nga Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim Evropian – OSBE.
Afërdita Halimi, teologe nga Bashkësia Islame e Kosovës, thotë se në vend ka paragjykime dhe ka njerëz që mendojnë se toleranca ndërfetare nuk është e mirë, por siç thotë ajo, kjo është propagandë, pasi që në Kosovë ka bashkëjetesë të mirë ndërmjet njerëzve me fe të ndryshme.
“Realisht, gjendja është e mirë, popullata jeton në një shoqëri pozitive shumë të pranuar. Kemi jo vetëm komunitete fetare, por edhe etnike, megjithatë çfarëdo që janë, gjendja është e mirë. Unë, si teologe, në bazë të eksperiencës sime personale, njerëzit janë shumë mendjehapur ndaj feve etniteteve në shumë dimensione”, thotë Halimi.
Ndërkaq, Astrit Dedaj, student dhe përfaqësues i kishës katolike në Kosovë, thotë për Radion Evropa e Lirë se Kosova është vend i tolerancës ndërfetare, duke treguar edhe përvojën e tij personale .
“Unë mendoj se ka më shumë se tolerancë ndërfetare, pasi ne bëjmë bashkëjetesë ndërfetare. Po e marr një shembull: – Pasi vijmë në Prishtinë për studime, shokë të feve të ndryshme, ne jetojmë bashkë. Unë për vete jetoj me dy myslimanë e një katolik. Ne i ndajmë gjërat së bashku, e gjithashtu edhe festat. Shkojmë qoftë edhe në një qytet tjetër, që të bashkë-ndajmë gëzimin për t’i uruar festat familjes së shokut, qoftë festa e Bajramit apo Krishtlindjet”, tregon Dedaj.
Edhe Milan Toniq, 29 vjeç nga Lipjani, përfaqësues i Kishës ortodokse serbe, thotë se ndonëse përfaqëson komunitetin e tij prej rreth 2 për qind që jetojnë në Kosovë, toleranca ndaj tyre nga komunitetet tjera fetare është e shkëlqyer.
“Në Kosovë ka tolerancë ndërfetare. Unë kam shoqëri prej fesë islame dhe asaj katolike. Ne flasim për çështje të ndryshme dhe lobojmë që të zhdukim paragjykimet që kanë qenë para lufte në Kosovë. Mendimi im është që sa i përket feve, njerëzit në përgjithësi janë pozitivë”, shprehet Toniq.
Edhe Arlinda Murturi, e cila i përket besimit islam mendon se Kosova njihet si vend i tolerancës dhe mirëkuptimit ndërmjet feve:
“Unë mendoj se ka tolerancë ndërfetare mes të rinjve, dhe respekti në përgjithësi është i kuptueshëm. Ne jetojmë në Kosovë dhe njihemi si vend i tolerancës dhe vend i mirëkuptimit mes feve”.
E, autoritetet në Kosovë në vazhdimësi kanë mbajtur aktivitete, të cilat kanë pasur për qëllim të rrisin ndërgjegjësimin rreth tolerancës, pajtimit dhe bashkëjetesës paqësore ndërmjet besimeve të ndryshme fetare në Kosovë.
Ndryshe, shumica e popullatës së Kosovës, më shumë se 90 për qind, i përket besimit islam.