“Na ofruan dy banesa”, dëshmitë e familjarëve dhe kolegëve për vrasjen e të riut në Deçan

Prishtinë | 18 Mar 2021 | 18:41 | Nga Ekonomia Online

Më 23 shtator të vitit 2018, në kompaninë “Gogaj AG” në Deçan kishte ndodhur një vrasje. I riu Agonis Tetaj ishte qëlluar me armë zjarri nga Shaban Gogaj, djali i shefit të kompanisë ku punonte. Pamje nga momenti i vrasjes janë publikuar edhe nga familja e viktimës, e edhe avokati i të pandehurit. Familja po thotë se vrasja ishte e qëllimshme, e avokati po e cilëson aksidentale. Por, çka kishin deklaruar dëshmitarët dhe familjarët e viktimës për rastin?

Deklaratat e gruas, nënës dhe babait të Agonis Tetajt
Babai i Agonisit, Isuf Tetaj kishte thënë se Shaban Gogajn nuk e njeh, por se pas rastit ka dëgjuar se ai është problematik.

Ai ka deklaruar se familja e Shabanit iu kanë kërkuar t’i falin duke thënë se ka ndodhur aksidentalisht dhe se iu kanë ofruar dy banesa dhe për gruan e Agonisit pagë deri në moshën 65-vjeçare.

Nëna e Agonisit, Nurije Tetaj kishte deklaruar se kohëve të fundit e kishte dëgjuar Agonisin duke folur për Shabanin, duke thënë se është shumë i lazdruar dhe se po iu bën shumë presion punëtorëve.

Ajo kishte pasur vërejtje edhe për familjen Gogaj, duke thënë se prej se e kanë varrosur djalin, po iu kërkojnë që t’i shohin kamerat, ku është regjistruar momenti i vrasjes.

Edhe bashkëshortja e Agonisit, Albesa Cacaj, ka deklaruar se e kishte dëgjuar Agonisin të thotë për Shabanin se sillet superior ndaj punëtorëve dhe se ka dëshirë të jap urdhra.

Deklaratat e kolegëve të punës së Agonisit
Azgon Hadërgjonaj, punëtor në Kompaninë “Gogaj AG” në Deçan, kishte deklaruar se s’ka qenë në dijeni për ndonjë mosmarrëveshje mes të pandehurit dhe viktimës.

E për ditën kur ka ndodhur vrasja, Hadërgjonaj ka thënë se vetëm e ka dëgjuar një krismë, erën e barutit dhe se e ka parë Agonisin duke rënë në tokë, por se nuk i kujtohet ta ketë parë Shabanin apo t’i ketë parë diçka në dorë.

Edhe punëtori tjetër i kompanisë, Faruk Zukaj ka thënë se nuk di për raportet mes viktimës dhe të pandehurit, meqenëse s’ka qenë i afërt me të. Për ditën e vrasjes, ai thotë se se deri sa po qendronte afër Agonisit në këmbë, i cili ishte ballë për ballë me Azgonin, ka dëgjuar një krismë dhe i është rrëzuar Agonisi para këmbëve.

Ndëkohë, vëllau i Agonisit, Dionis Tetaj, ka thënë se edhe pse Agonisi nuk i ka folur për raportet me Shabanin, ai ka qenë në dijeni se Shabani i ka bërë presion të madh dhe se i kujtohet një rast kur djali i axhës së të pandehurit i kishte rënë më shuplakë Agonisit.

E djali i axhës së Agonisit, Selmon Tetaj, kishte treguar një rast që kishte ndodhur mes Agonisit dhe Shabanit, disa ditë para vrasjes.

Ai kishte deklaruar se dy javë para se të ndodhte rasti, kur i kishte bërë problem i pandehuri, përshkak se ky gjatë një pagese i mungonte 1 euro, dhe pasi kishte ndërhyrë Agonisi, Shabani e ka, siç shprehet ‘prishë’ fytyrën dhe e ka ngritur dorën e djathtë te një dollap nën kacë dhe i ka thënë Agonisit ‘Goni ti e di çka kam këtu qetu’.

Vajza e hallës së Shabanit, Florentina Malaj, e cila punon si arkatare në kompani që pesë vite, kishte deklaruar se ditën e vrasjes kishte dëgjuar një krismë dhe se Shabani i kishte thënë “e mbyta njerin”.

Ajo ka thënë se ka qenë në dijeni se ka qenë një armë në fiokën e fundit, por se nuk i ka vërejtur veprimet e Shabanit e as armë në dorë.

Por, kjo deklaratë e saj dallon me atë që kishte thënë menjëherë pas rastit më datë 23 shtator 2018.

Atë ditë ajo kishte thënë se e kishte parë Shabanin me një revole me ngjyrë të bardhë e cila ishte pa karikator dhe se ai e kishte marrë e kishte raportirat dhe se e kishte drejtuar ka punëtorët që ishin pak para arkës duke bërë shaka dhe duke folur për bjeshkë dhe se në atë moment kishte dëgjuar një krismë të armës dhe e kishte parë Agonisin duke u rrëzuar për toke.

Kur ishte pyetur nga prokuroria për këtë deklaratë, ajo e kishte mohuar me arsyetimin se i kishtë thënë policisë që ta fshinin dhe ata t’i kenë thënë se kanë fshirë.

Deklaratë kishte dhënë edhe vajza tjetër e hallës së Shabanit, Natyra Malaj.

Ajo kishte thënë se me Shabanin kishte biseduar në telefon pak momente para se të ndodhte rasti dhe se biseda kishte qenë për dalje në bjeshkë dhe gjërat ushqimore që duhet t’i marrin me vete.

Sa i përket armës, ajo kishte thënë se ka qenë në dijeni për ekzistimin e një arme në dollap me leje, por se nuk e dinte se në emër të kujt ishte.

Punëtori tjetër i kompanisë, Ngadhënjim Gjokaj kishte thënë se Shabani dhe Agonisi kanë pasur raporte të mira mes vete në firmë.

Për ditën e vrasjes thotë se ka qenë te dera e lokalit kur ka dëgjuar një krismë dhe kur është kthyer ka parë Agonisin që ka rënë në tokë dhe se nuk e ka parë Shabanin me armë apo kur ka shtënë, meqë siç ka thënë ka qenë jashtë derës së lokalit.

Edhe punëtori Zeqë Tishukaj kishte thënë se nuk kishte qenë në dijeni për ndonjë problem mes Shabanit dhe Agonisit. Ai ka deklaruar se ditën kur ka ndodhur rasti ka qenë duke u kthyer nga banjo dhe e kishte dëgjuar krismën.

I ballafaquar me deklaratën në polici ditën e vrasjes kur kishte thënë se është takuar në shkallë me Shabanin dhe se ai i kishte thënë se i ka shkrepur arma, Tishukaj ka thënë se nuk i kujtohet.


Ndryshe, një video nga vrasja e Agonis Tetajt është publikuar dje nga babai i Agonisit, pas rikualifikimit të veprës penale nga “Vrasje e rëndë” në “Vrasje nga pakujdesia”.

Sipas Isuf Tetajt, u manipulua kur vepra e vrasjes së djalit të tij u rikualifikua nga “vrasje e rëndë” në “vrasje nga pakujdesia”.

Lidhur me këtë, familja e viktimës ka dërguar një letër publike në adresë të kryeprokurorit të shtetit dhe ambasadorit të SHBA’së, Britanisë e Gjermanisë në Prishtinë, shkruan Express

Babai i viktimës, Isuf Tetaj, në letrën publike e ka akuzuar prokurorin e rastit, Agron Uka, se është duke manipuluar me rastin e vrasjes së të riut Agonis Tetaj.

Në letrën e tij publike të cilën ia ka dërguar kryeprokurorit të shtetit, Aleksandër Lumezi dhe ambasadorëve të vendeve të huaja në Kosovë, Isuf Tetaj ka bashkëngjitur edhe aktakuzën e Prokurorisë Themelore të Pejës ndaj të akuzuarit Shaban Gogaj.

Me këtë letër, ai po kërkon që të përjashtohet prokurori Agron Uka nga ky rast si dhe të vendoset gjykim meritor lidhur me vrasjen e djalit të tij.

Po ashtu, Isuf Tetaj në këtë letër ka bashkëngjitur edhe videon nga momenti i vrasjes së djalit të tij, në vendin e punës.

Edhe kryeprokurori i Shtetit, Aleksander Lumezi, ka reaguar pas publikimit të videos së vrasjes së Agonis Tetajt nga Deçani dhe letrës publike të babait të tij, Isuf Tetaj, i cili akuzoi prokurorin e rastit, Agron Uka, pas ricilësimit të veprës penale nga “Vdekje e rëndë” në “Vdekje nga pakujdesia”, raporton Gazeta Express

Lumezi ka deklaruar se ka marrë vendim që do ta caktojë një prokuror tjetër për këtë rast.

“Si Kryeprokuror i Shtetit jam i shqetësuar dhe njëkohësisht i gatshëm që drejtësia të shkojë në vend. Prandaj, për të parandaluar njëanshmërinë dhe për t’iu shmangur paragjykimeve për rastin e vrasjes së Agonis Tetajt, sot kam marrë vendim që brenda kompetencave të mia ligjore të marrë lëndën nga prokurori i çështjes dhe ta ricaktoj atë te një prokuror tjetër”, thuhet në reagimin e kryeprokurorit të Shtetit.

“Gjithashtu, do të kërkojmë nga trupi gjykues që të mos e shpallë shqyrtimin gjyqësor të përfunduar, por të marrë prova të tjera të nevojshme, të cilat do ta zbardhin tërësisht të vërtetën në këtë çështje penale-juridike, konform nenit 357, paragrafi 1 të KPPRK-së”, ka deklaruar Lumezi.

Ai ka thënë se pas vlerësimit të lëndës, ata që kanë bërë sjellje eventuale joprofesionale, do të përgjigjen për veprimet e tyre.

“Po ashtu, pas vlerësimit të lëndës, të gjithë ata që kanë bërë sjellje eventuale joprofesionale dhe në kundërshtim me ligjin do të përgjigjen për veprimet e tyre. Prandaj është e rëndësishme për të gjithë dhe për publikun e gjerë të kuptohet se Prokurori i Shtetit nuk bënë përjashtim për askënd, pa marrë parasysh se ku punon ose më kë bashkëpunon”, ka deklaruar Lumezi.

“Si Kryeprokuror i Shtetit, siguroj familjen dhe të gjithë qytetarët se do të angazhohem për drejtësi maksimale për këtë rast”, ka thënë ai.

E një video tjetër nga momenti i vrasjes është publikuar sot nga Besnik Berisha, avokati i të dyshuarit për vrasjen e Agonis Tetajt.

Avokati pretendon se reagimi i dorasit tregon se vrasja ishte aksidentale.

Në këtë videon shihet reagimi i Shaban Gogajt pas shkrepjes me armë në drejtim të Agonis Tetajt, shkruan Gazeta Express.

Berisha këtë video e përcolli edhe me një shkrim, e ku tha se paraqitet prova se se si Gogaj e vrau aksidentalisht shokun e tij.

“Pamje të reja sesi reagoi 18-vjeçari Shaban Gogaj pasi aksidentalisht privoi nga jeta shokun dhe kolegun e tij Agonis Tetaj. Jam kureshtar të di, nëse ekziston qoftë edhe një rast i vetëm, i shkruar, i dëgjuar, apo i dëshmuar, që i përgjigjet, qoftë për së afërmi, aksidentit tragjik të vrasjes së Agonis Tetaj e që provon se dorasi, menjëherë pas kryerjes së vrasjes të pretenduar “me dashje”, reagon kështu siç ka reaguar 18-vjeçari Shaban Gogaj, duke gulçuar, bërtitur, klithur, goditur kokën dhe veten me grushta, pasi kuptoi se miku i tij më i mirë u rrëzua në tokë i gjakosur. Kujtojmë që ky aksident tragjik ndodhi në ditën më të lumtur të jetës së 18-vjeçarit Shaban Gogaj, në të cilën i njëjti mori konfirmimin dhe bekimin për fejesë nga prindi i të dashurës së tij. Faktet nuk duan koment!!”, ka thënë ai./Gazeta Express

Të ngjashme