Aktivitete të veçanta kundër ekstremizmit të dhunshëm në Ferizaj

Prishtinë | 21 Qer 2017 | 16:07 | Nga

Tri aktivitete të veçanta janë mbajtur sot në Ferizaj. Qendra Kërkimore për Politika të Sigurisë – SPRC në kuadër të projektit “Angazhimi i Shoqërisë Civile kundër Ekstremizmit të Dhunshëm” së bashku me organizatën partnere AVONET zhvilluan tri aktivitete me qytetarët e Ferizajit, duke përfshirë nxënësit e shkollës ”Gjon Sereqi”, përfaqësuesit e Bashkësisë Islame si dhe qytetarët e rëndomtë të Ferizajit.

“Në kuadër të debatit me krerët e Bashkësisë Islame në Ferizaj, u tha se një prej faktorëve në rritjen e ekstremizmit ishte edhe mosnjohuria e problematikës së imamëve në trajtimin e problemit të ekstremizmit.

Ndërsa performanca “Denonco shkaqet e përfshirjes në vepra terroriste” që është mbajtur në qendër të qytetit të Ferizajit ishte edhe aktiviteti i fundit i organizuar nga SPRC dhe AVONET me qëllim vetëdijesimi të qytetarëve të Kosovës për parandalimin e këtij fenomeni negativ”, thuhet në njoftimin për media.

SPRC dhe RRJETI i Organizatave Partnere do të implementojë edhe shumë aktivitete të tjera në kuadër të projektit që implementojnë duke kontribuar kështu në implementimin e Strategjisë për Parandalimin e Ekstremizmit të Dhunshëm dhe Radikalizmit që Shpie në Terrorizëm 2015 – 2020.

Radikalizmi dhe Ekstremizmi i Dhunshëm, një prej temave të diskutuara tash e disa vjet në opinionin publik janë fenomene të cilat janë duke ndikuar negativisht në Kosovë. Inkuadrimi i shoqërisë civile në parandalimin e këtij fenomeni është shumë i domosdoshëm për shoqërinë kosovare.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme