Mashtruesit “veteranë” i pret burgu

Prishtinë | 05 Tet 2016 | 19:44 | Nga

Procesi i verifikimit të veteranëve të luftës është pëcjellë me shumë probleme, sidomos të natyrës që është shtuar në masë të madhe numri i veteranëve.

Janë rreth 50 mijë veteranë që thuhet që në një formë apo tjetrën kanë dhënë kontribut në luftën e fundit.

Pa dyshim se listat janë të fryera dhe shpesh i është bërë thirrje Prokurorisë së shtetit që të nisë hetime ndaj këtij skandali.

Si rrjedhoj e këtij keqpërdorimi, ka bërë që shumë zyrtarë të ndryshëm dhe pjesëtarë të shoqërisë civile të jenë një ndër zërat kritikë ndaj institucioneve përkatëse.

Një nga zërat më kritikë të kësaj çështjeje është edhe Avni Zogiani, aktivist i shoqërisë civile.

Ai tha për gazetën Infopress, se çështja e veteranëve, është menaxhuar me logjikë jo-institucionale, por me shumë me interesa elektorale.

“Kjo ka dëmtuar fort ata që duhej të përfitonin beneficionet, duke qenë se është shtrirë në një shkallë tepër të gjerë dhe është ndërtuar më shumë si program social, e jo si program për kategorinë që meriton benificione”, ka thënë ai.

Jo më pak kritikë ndaj kësaj dukurie është edhe avokati Tomë Gashi.

Sipas avokatit Gashi, personat që s’kanë qenë pjesëmarrës në luftë kanë dëmtuar moralisht personat që vërtet ishin pjesë e Ushtrisë Çlirimare të Kosovës.

“Ata fare lehtë mund t’i identifikojnë luftëtarët e rrejshëm dhe personat që kanë ble uniforma pas datës 12 qershor 1999”, u shpreh Gashi.

Më tej, Gashi, tha se e keqja qëndron tek fakti se disa komandant i kanë bërë veteranë lufte familjarët e tyre, të afërm dhe pjesëtarët tjerë të fisit.

“Disa i kanë bërë veteranë edhe pjesëtarët e familjes dhe kësisojë na doli që të gjithë paskan qenë në UÇK. Shumë persona veç me një këngë patriotike janë bërë luftëtarë dhe kontribues të UÇK-së për t’u rehabilituar”, shtoi Gashi.

Në mënyrë krejt ironike, Gashi shtoi se me këtë numër të madhë të veteranëve ndoshta do të hynim edhe në Beograd.

Në fund, Gashi tha se paraqitja e rrejshme si veteran i UÇK-së është vepër penale, sepse bëhet me qëllim përfitimi material dhe kjo është e dënueshme deri në 10 vjet.

“Është detyra e Prokurorisë t’i zbuloi kush janë këta veteranë që me paraqitje të rrejshme po dëmtojnë ushtarët e vërtet”,tha ai.

Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga Nisma për Kosovën, Zafir Berisha, thotë se kjo është një situatë shumë skandaloze dhe për këtë drejton gishtin te politikat ditore.

“Nuk guxojmë që si rezultat i politikës ditore, çlirimtarët të prezantohen si shkatërrimtar në opinion. Ish- pjesëtarët e UÇK-së kanë luftu për lirinë e vendit dhe jo për privilegje”, tha Berisha.

Më tej, Berisha tha se politikat ditore janë ato që kanë sjellë këtë gjendje.

“Politikat e gabuara e të ndjekura që nga pas lufta, kanë bërë që shumë veteranë të jetojnë në kushte shumë të vështira social-ekonomike”, mendon ai.

Berisha, për Gazetën Infopress tha se emërimi i personave të rrejshëm si veteranë dhe invalidë të luftës është shkelje e ligjit dhe se sipas Berishës, shteti duhet të marr masa.

“Ka njerëz të papërgjegjshëm që marrin beneficione nga buxheti i shtetit pa qenë invalidë lufte dhe prandaj shteti duhet të marrë masa ligjore për parandalimin e kësaj dukurie, siç ka ndodh në Kroaci. Degradimi me luftën e ka burimin në Qeveri dhe në Komisionin qeveritar dhe deri sa edhe Isa MUstafa është veteran imagjinoni sa deri ku është fyer lufta e UÇk-së”, ka thënë Berisha.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme