Iu janë rritur pagat krijuesve dhe performuesve të artit dhe kulturës, raporton Ekonomia Online.
Kjo kërkesë erdhi si propozim nga shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Memli Krasniqi.
“Nuk ka ardhur si amendament alternativ që ka të bëjë me koeficientin e krijuesve dhe performuesve të kulturës dhe artit. Janë 5 kategori të krijuesve të kulturës dhe artit dhe propozimi i parë ka qenë që kategoria e parë të jetë 3.4, e dyta 3, e treta 2.6, e katërta 2.1 dhe e pesta 1.0. Amendamenti: tek krijuesit dhe performuesit të artit 1, nga 3.2 të bëhet 3.4, tek krijuesit dhe performuesit e kulturës dhe artit 2, nga 2.75 të bëhet 3, tek krijuesit dhe performuesit e kulturës dhe artit 3, nga 2.4 të bëhet 2.6”, tha Krasniqi.
Kundër kësaj rritje, u shpreh kryesuesi i Komisionit për Administratë Publike, Nait Hasani, i cili ka thënë se ky amendament duhej të binte më herët, duke aluduar se këto po bëhen për të ngritur koeficiente të individëve por jo të kolektivit.
“Dil tjetri që do ta bëjmë më vonë, amendamente e amendamente dhe duhet t’iu ngritim. Kallxoni cili dajë, cilit teze, cila hallë që po thotë Milaimi, t’ia ngrisim koeficientin. Hajdar a ke naj koeficinet me ta ndreqë. Nuk pajtohem me këtë se është proshje e rendit, prishte e tabelës që është në kundërshtim me çdo gjë. Performuesit e artit që kanë ardhur e kanë pru ditën e fundit, ministri thotë i kam rregullu me rregullore. E kemi një rregullore që është mbi ne, prandaj performuesit e artit më heret iu kemi thënë që nuk ka shkallë që mund ta masë vlerën e tyre. Vlera e tyre është e pamatshme për shkak se është performues i formave të ndryshme të artit, kulturës a skulpturës. Në rrethanat ku jemi ne me këta koeficiente, drejtori e ka 3.2, nuk mundesh me shkuar mbi drejtorin. Kjo është çështja”, u shpreh Hasani, raporton Ekonomia Online.
Ndërsa, Safete Hadërgjonaj, anëtare e komisionit për Buxhet dhe Financa, ka propozuar amendamentin i cili përfshinë ndryshimet e bëra nga ky komision, i cili edhe u miratua.
“Në pikën 153 në pozitën krijuesit dhe performuesit e kulturës dhe artit, koeficienti nga 2.75 të ndryshohet në 3.4. Në pikën 154 në pozitën krijuesit dhe përformuesit të kulturës dhe artit, koeficienti nga 2.4 të ndryshohet në 3 dhe në pikën 155 në pozitën krijuesit dhe përfituesit e kulturës dhe artit koeficienti nga 2 ndryshohet në 2.6”, tha Hadergjonaj.
Hasani po ashtu ka kërkuar të futen edhe shërbyesit civilë dhe kuvendarët e Prishtinës por propozimi i tij për mos ngritjen e koeficientit të performuesve nuk ka kaluar.
“Kemi harruar t’i fusim shërbyesit civilë dhe kuvendarët e Prishtinës me i veçuar prej komunave tjera. Propozimi i tyre ka qenë 15 për qind por meqë këtu ka vullnete të mira unë propozoj 20 për qind tua rrisim”, tha Hasani.
Ndërkaq për profesorë dhe për RTK-në u tha që të bëhet një amendament tjetër dhe si i tillë të futet edhe në votim.