Shëndeti mendor është një ndër faktorët themelor të mirëqenies së qytetarëve, prandaj u kërkua nga specialistët e kësaj fushe që institucionet në vend t’i japin rëndësi kësaj çështje, raporton Ekonomia Online.
Të dielën Shoqata e Psikologëve të Kosovës në Ditën Botërore të Shëndetit Mendor ka organizuar kongresin ndërkombëtar “Shëndeti mendor, sfidat dhe e ardhmja”.
Ky kongres mblodhi një numër të madh të ekspertëve të kësaj fushe.
Me këtë rast Ilir Havolli, kryetar i Shoqatës së Psikologëve të Kosovës, tha se nga ky kongres do të dalinn më rezultatet të qarta rreth shëndetit mendor në vend.
“Shëndeti mendor është si një ndër faktorët themelor të mirëqenies së qytetarëve. Përmes këtij kongresi do dalim edhe me konkluzione të qarta të rezultateve të nxjerra mbi shëndetin mendor”.
“Për këto katër vite, Sho-PsiKo nuk ka ndaluar asnjëherë punën ku dikur numëronim me gishta e sot me qindra, dy shoqatat ajo e Kosovës dhe e Shqipërisë kanë punuar”, tha Havolli.
Tutje, ai tha se personave me sëmundje mendore duhet t’u krijohet një mbështetje sociale dhe përfshirje në programet mësimore.
“Personat me sëmundje mendore kanë nevojë për mbështetje sociale dhe përfshirje në programet mësimore. Duhet në vazhdimësi që të ndikojmë në përmirësimin e gjendjes psiko-sociale ndaj këtyre personave”, theksoi tutje ai.
Havolli madje tha se politikbërësit nuk është se kanë bërë mjaftueshëm për shëndetin mendor të qytetarëve.
E Loreta Garuli, kryetare e Bordit-Sho-PsiKo në Shqipëri, theksoi rëndësinë e kësaj dite duke shtuar se vetëm përmes ndërgjegjësimit mund të ndërtohet një vetëdije më e madhe.
“Përmes ndërgjegjësimit të ndërtohet një vetëdije shumë e madhe për këtë temë e cila ka shumë rëndësi për shëndetin mendor”, tha Garuli.
Neuropsikiatri dhe drejtor në Qendrën e Shëndetit Mendor, Sami Rexhepi, tha se është koha e fundit që politikbërësit të ndërgjegjësohen sa më parë.
“Do doja të ishte ditë feste dhe të festonim e t’i gëzonim rezultateve mbi shëndetin mendor, por mjerisht po vazhdojmë të funksionojmë me një stuhi. Është koha e fundit që politikbërësit të ndërgjegjësohen dhe t’i japin rëndësi shëndetit mendor”.
Ndërsa, psikiatrja e fëmijëve në Klinikën Königsfelden Eindisch, Kantonin e Aargaut në Zvicër, Xhezide Lumani, tha se përmes kontakteve online kanë arritur që të mbajnë kontakte të vazhdueshme për të adresuar çështje që janë në interes të shëndetit mendor të qytetarëve.
“Përmes këtyre trajnimeve, organizimeve kemi arritur të mbajmë kontakte të vazhdueshme online për të adresuar këto çështje kaq të rëndësishme për shëndetin mendor”, tha ajo.