Rafael Nadal dhe Roger Federer nuk ndalen në turneun e Roland Garros. Tenisti spanjoll, kampioni në fuqi i turneut, eliminoi në raundin e tretë Juan Ignacio Londero me rezultatin 3-0, për të festuar në mënyrën më të mirë të mundshme 33-vjetorin e tij të lindjes.
Numri 2 i renditjes botërore nuk e pati aspak të vështirë këtë ndeshje, setet e së cilës i fitoi me rezultatin 6-2, 6-3 dhe 6-3, në 2 orë e 13 minuta lojë.
Edhe më e lehtë ishte sfida e Roger Federer, që mundi Leonardo Mayer 3-0. Zviceranit iu deshën vetëm 1 orë e 44 minuta lojë për të mbyllur llogaritë e kësaj sfide, duke treguar se çdokush do ta ketë të vështirë përballë tij në këtë edicion të Roland Garros.
Federer ishte dominues në fushën e lojës dhe i mbylli setet me rezultatin 6-2, 6-3 dhe 6-3, e tani pret derbin zviceran me Stanislav Wawrinkën, që eliminoi pas një ndeshjeje maratonë grekun Tsitsipas 3-2.
Wawrinka dhe Tsitsipas u bënë protagonistë të një ndeshjeje dramatike, që zgjati 5 orë e 9 minuta, me zviceranin që arriti të presë biletën për në çerekfinalen e Roland Garros. Wawrinka fitoi setin e parë 7-6, por humbi të dytin 5-7.
Seti i tretë shkoi sërish për zviceranin 6-4, por Tsitsipas barazoi sërish rezultatin me fitoren e setit të katërt 6-3. Seti final ishte më i gjati dhe ku u përjetua edhe drama më e madhe, me Wawrinkën që e fitoi atë 8-6.
Për femra spikat fitorja e Sloan Stephens ndaj Garbine Muguruzës, fituese e Roland Garros në vitin 2016. Tenistja amerikane ishte superiore kundrejt spanjolles dhe e mundi atë në 1 orë e 40 minuta lojë, duke siguruar një vend mes 8 më të mirave të turneut. 6-4 dhe 6-3 ishte rezultati i seteve të fituara nga Sloan Stephens, që si kundërshtare të radhës do të ketë britaniken Johanna Konta, që nga ana e saj mundi kroaten Vekiç 2-0.