Dy dekada pasi iku me familjen e saj nga Afganistani që drejtohej nga Talibanët, Nadia Nadim, është e gatshme të kthehet në shtëpi.
“Nuk e di nëse do të jetë sigurt. Por do ta marr rrezikun”, ka thënë sulmuesja e Paris Saint-Germainit, shkruan sot Koha Ditore.
Rreziku ia vlen për Nadimin 31-vjeçare, që po planifikon kthimin e parë në Afganistan qëkur u largua nga vendi si fëmijë. Ajo shpreson të ndryshojë mentalitetin dhe t’i inspirojë vajzat e tjera të ndjekin rrugën e saj dhe të luajnë futboll.
“Mesazhi që dua të dërgoj te këta fëmijë është se çdo gjë është e mundur dhe t’u them se ajo që po bëjnë ato nuk është gabim. Të luash futboll nuk është mëkat. Nuk po bëni asgjë gabim. Është sport. Është një gjë që ju bën të lumtur. Dhe njerëzve rreth tyre, do të mundohem t’u tregoj se nëse i duan këto vajza, atëherë ato mund të bëhen si unë”, thotë Nadim.
Për Nadimin, rasti për t’u bërë kjo që është sot, erdhi vetëm pas një tragjedie familjare dhe zhvendosjes në Danimarkë.
Karriera e saj si sportiste do të ishte e paimagjinueshme në Afganistan, veçanërisht pasi Talibanët e morën nën kontroll vendin në vitin 1996. Vajzat nuk lejoheshin as të shkonin në shkollë, e lëre më të luanin futboll.
Por, një ditë, babai i Nadimit – një gjeneral ushtarak afgan – u ftua të takonte liderët Talibanë dhe nuk u kthye më.
“Duke u rritur në një shtet ku ka luftë dhe ku vajzat nuk janë vërtet të lejuara të bëjnë ndonjë gjë, është jashtëzakonisht e vështirë”, rikujton Nadim. “Babai im u vra kur ishte i ri dhe ikja nga vendi nuk ishte shaka. Jam e lumtur që pata rastin e dytë dhe shfrytëzova në maksimum këtë rast”, thotë futbollistja.
Rrugëtimi për një jetë të re nisi në vitin 2000 nëpërmjet Pakistanit dhe Italisë, para se të lëshohej nga një kontrabandues në Danimarkë. Asaj iu aprovua kërkesa për azil pasi kaloi gjashtë muaj në një kamp refugjatësh në Kopenhagë dhe Nadim zbuloi shkathtësitë e saj për futboll në vendin e saj adoptues..