Kryetari i Komitetit për Drejtësi në Dhomën e Përfaqësuesve, Jerry Nadler thotë se Prokurori i Përgjithshëm, William Barr duhet t’ia dërgojë Kongresit pa redaktime raportin për Rusinë të Këshilltarit të Posaçëm, Robert Mueller.
“Siç e kam njoftuar më herët gjatë javës Prokurorin e Përgjithshëm, Kongresi kërkon raportim e plotë të Muellerit, pa redaktime, si dhe qasje në provat kryesore deri më 2 prill. Ky afat mbetet ende në fuqi”, tha Nadler, përmes një deklarate të publikuar më 29 mars, pasi prokurori Barrtha se ai do të publikojë rreth 400 faqe të raportet në mesin e muajit prill, pasi të jenë redaktuar materialet e ndjeshme.
“Progresi ynë është i tillë dhe unë parashikoj se do të jemi në gjendje që ta publikojmë raportin në mesin e prillit, ose edhe më shpejt”, tha Barr.
Mueller e ka përfunduar hetimin e tij dhe ka dorëzuar raportin e tij më 22 mars. Barr ia dërgoi një letër prej katër faqesh Kongresit dy ditë më vonë, ku dha detajet e “përfundimeve kryesore të Muellerit”.
Këshilltari i Posaçëm nuk gjeti se fushata presidenciale e Trumpit ka bashkëpunuar me Rusinë për të fituar zgjedhjet, shkroi Barr, duke shtuar se po ashtu hetimet nuk kanë arritur në përfundimet se Trump ka penguar drejtësinë.
Barr po ashtu tha se ai dhe zëvendësprokurori i Përgjithshëm, Rod Rosensteinkanë vendosur se dëshmia e Muellerit është e pamjaftueshme për të vërtetuar se Trump ka penguar drejtësinë.
Barr, në letrën e tij tha se disa informacione duhet të redaktohen përpara se raporti të publikohet, përfshirë këtu informacionet sekrete të Jurisë së Madhe dhe burimet e inteligjencës, që sipas ligjit, nuk mund të bëhen publike ose mund të cenojnë privatësinë.
Në një tubim më 28 mars në Miçigan, presidenti i SHBA-së, Donald Trump ka festuar përfundimin e hetimeve, që ai i cilësoi si “gënjeshtra dhe shpifje”.