Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, ka njoftuar se 313 fëmijë nga familjet përfituese të Skemës së Asistencës Sociale do të përfshihen në edukimin e hershëm përmes Programit të Kuponëve.
Sipas saj, Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI) do të mbulojë shpenzimet e kopshtit dhe të transportit për këta fëmijë, me qëllim që të sigurohen mundësi të barabarta për të gjithë.
“313 fëmijë nga familjet përfituese të Skemës së Asistencës Sociale do të përfshihen në edukimin e hershëm përmes Programit të Kuponëve. MAShTI do të mbulojë shpenzimet e kopshtit dhe të transportit për këta fëmijë”, ka shkruar Nagavci.
Ajo ka theksuar se ky program është pjesë e zotimit institucional për rritjen e qasjes dhe përfshirjes së fëmijëve të moshës 3 deri në 5 vjeç në edukimin e hershëm, duke u ofruar familjeve përfituese mbështetje të drejtpërdrejtë dhe konkrete.
“Ky program është pjesë e zotimit tonë për të rritur qasjen dhe përfshirjen e fëmijëve të moshës 3–5 vjeç në edukimin e hershëm”, ka theksuar ministrja.