Nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, Arbërie Nagavci, ka thënë se deputetët që e votuan mocionin e mosbesimit ndaj Qeverisë Kurti, u rreshtuan edhe njëherë në krah të presidentit, Hashim Thaçi.
Ajo ka thënë se 82 votat që e rrëzuan Qeverinë u bënë bashkë për ta penguar luftën ndaj krimit e korrupsionit, për t’i hapur rrugë planeve e skenarëve të Thaçit.
“Pra mos i jepni numrit legjitimitetin që nuk e kanë, sepse së paku 24 deputetët e LDK-së kanë premtuar se do të qeverisin me LV! për të luftuar krimin e korrupsionin dhe se partitë e PAN-it do t’i dërgojnë në opozitë. Ndërkaq tani hapur po shprehet dëshira e LDK-së për të qeverisur me ish-partitë e PAN-it, të varur krejtësisht nga Lista Serbe, kurse deklaratat që PDK-ja do të jetë në opozitë, në fakt janë vetëm një tentim për të pastruar këtë parti, duke i pasur në dispozicion votat e njëra-tjetrës çdo herë kur e kanë të nevojshme. Forca e numrave nuk justifikon veprimet pa parime, mashtrimet ndaj elektoratit e as propaganda koti si kjo kunderamerikanizmit”, ka shkruar ajo.
Ajo tutje ka thënë se ata i lanë vetëm qytetarët në ditët më të vështira për njerëzimin.
“Jeni lehtësisht të lexueshëm, në krah të Thaçit, në shkelje të premtimeve zgjedhore dhe programit që keni votuar vet, duke tentuar të lini vetëm qytetarët në ditët më të vështira për njerëzimin. Sa për korrektësi këto janë votat pro: 24 deputet të LDK+ 24 deputet të PDK +13 deputet të AAK+ 10 deputet të Lista Serpska+ 5 deputet Nisma&AKR+3 Grupi 6+ ( këtu kemi deklarime të dy deputeteve se nuk kanë marrë pjesë në votim) +3 deputet të pakicave, pa grup parlamentar. Kundër 29 deputet të LV! + 3 deputet të LDK-së, 1 deputet nga 6+ abstenim dhe 2 deputete nga 6+ nuk kanë marrë pjesë në votim”, ka shkruar tutje ajo.