Nagavci: Çdo fëmijë duhet të ndihet i sigurt, i respektuar dhe i përkrahur

Prishtinë | 10 Dhj 2025 | 15:28 | Nga Ekonomia Online

Është mbajtur ceremonia përmbyllëse e projektit trevjeçar “Veprimi Kundër Diskriminimit për të Gjithë”, i financuar nga Bashkimi Evropian në Kosovë dhe zbatuar në 11 komuna të vendit, raporton Ekonomia Online.

Përfaqësuesja e Qendrës për Arsim të Kosovës (KEC), Ardita Kabashi, tha se projekti ka pasur ndikim të drejtpërdrejtë te mijëra të rinj, duke adresuar paragjykimet, diskriminimin dhe përjashtimin në shkolla.

“Sot jemi mbledhur këtu jo thjesht për të përmbyllur një projekt, por për të ndalur në një çast dhe për të reflektuar mbi një udhëtim trevjeçar që ka lënë gjurmë në zemrat dhe në mendjen e mijëra të rinjve dhe të rejave të vendit tonë, që ka sfiduar paragjykime, ka çarë heshtjen dhe ka shkundur indiferencën. Jemi mbledhur këtu jo vetëm për të folur për projektin, jemi mbledhur për të folur për njerëz, për fëmijët që çdo ditë kanë hyrë në shkollë me një lëndim që nuk duket me sy, jo një plagë në trup por plagë në zemër, sepse është ndjerë i padukshëm, i ndryshëm dhe i përjashtuar; për vajzën që ka dashur të flasë, por e ka ndalur zërin nga frika se mos qeshin me të; për djalin që nuk është mësuar të ulet në bankë si të tjerët vetëm sepse vjen nga një komunitet tjetër; për të gjithë të rinjtë që e kanë ndjerë veten më pak vetëm pse janë ndryshe. Ky projekt nuk ka qenë vetëm punë në terren, ka qenë përqafimi i munguar, ka qenë fjala e parë e ngrohtë dhe drita që është ndezur. Kjo ka qenë një thirrje për drejtësi, barazi dhe dinjitet njerëzor, ka qenë një luftë e heshtur kundër armikut që shpesh fshihet pas shprehjeve të zakonshme, pas stereotipeve të trashëguara, pas mosdijes; kundër diskriminimit në të gjitha format e tij, sepse diskriminimi nuk është vetëm padrejtësi, është një plagë që prek qenien njerëzore”, ka deklaruar ajo.

Ministrja në detyrë e Arsimit, Arbërie Nagavci, theksoi rëndësinë e krijimit të një mjedisi të sigurt dhe gjithëpërfshirës për çdo fëmijë.

Ajo tha se përmes projekteve të tilla, institucionet po forcojnë angazhimin e tyre për të luftuar çdo formë të diskriminimit.

“Si gjithmonë kur kemi nxënës në mesin tonë, edhe ngjarjet bëhen më të bukura dhe më frymëzuese. Unë po vij nga një takim tjetër që kisha me gjimnazistë për të shënuar bashkërisht ditë të rëndësishme. Jam e bindur që nxënësit, përveç që kanë shumë të na ofrojnë, na dëshmojnë që angazhimi për të punuar për mirëqenien, sigurinë dhe gjithëpërfshirjen e tyre është një gjë që na bashkon. Është nder i veçantë të marr pjesë në këtë konferencë, në përmbylljen e projektit i cili ka dhënë impakt në komunitetin e 11 komunave. Republika e Kosovës është ndërtuar mbi vlerat e lirisë, dinjitetit dhe barazisë. Për këtë arsye lufta kundër çdo forme të diskriminimit nuk është vetëm obligim ligjor, por është edhe vlerë e jona themelore kombëtare. Arsimit në Kosovë i është dhënë një detyrë e jashtëzakonshme, ka marrë përsipër një rol të drejtpërdrejtë në këtë mision. Në shkollat tona, ku rriten brezat që do të udhëheqin të ardhmen e vendit, garantohet një mjedis ku çdo fëmijë, pa dallim gjinie, race, etnie, komuniteti, gjendje socio-ekonomike, aftësie fizike, të ndjehet i sigurt, i respektuar dhe i përkrahur. Për këtë po angazhohemi çdo ditë të gjithë ne që jemi përfaqësues të institucioneve”, theksoi Nagavci.

Nga Zyra e BE-së në Kosovë, Nicola Scaramuzzo vlerësoi rezultatet e arritura, duke theksuar se ngritja e ndërgjegjësimit te të rinjtë dhe zbatimi i legjislacionit mbeten elemente kyçe për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve.

“Kjo nismë, e cila reflekton mendësinë për të gjithë të reflektojnë për arritjet që kemi bërë, që çdo i ri dhe çdo e re të trajtohet me dinjitet dhe respektin që ai/ajo e meriton. Dua të shpreh falënderimin tim të thellë për partnerët tanë. Jemi krenarë të ndajmë disa rezultate që kemi arritur së bashku: zhvillimi i aftësive mes të rinjve për të ngritur zërin kundër diskriminimit dhe vetëdijësimi, meqë ndryshimi fillon me ndërgjegjësim. Derisa po shënojmë këto arritje, është e rëndësishme të përmendet roli i legjislacionit; ajo që ka rëndësi është zbatimi i legjislacionit për të ruajtur dhe mbrojtur të drejtat e fëmijëve”, ka theksuar ai.

Të ngjashme