Ministrja e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arbërie Nagavci, ka folur lidhur me huqjen që bëri kryeministri Albin Kurti në zgjidhjen e një ekuacioni të thjeshtë matematikor, në një shkollë të Komunës së Podujevës.
E pyetur nëse e vërejti gabimin e Kurtit, Nagavci është përgjigjur duke qeshur se “Cili gabim? Kryeministri nuk gabon”.
Sipas Nagavcit, është mirë që po diskutohet kaq shumë për matematikën pas këtij rasti.
“Përtej satirës, ishte një atmosferë shumë e mirë inaugurimi i shkollave të reja për nxënësit. SHkollat ku kanë mësuar fëmijët deri dje në Podujevë kanë qenë shkolla shumë të vjetra, një cilësie shumë të dobët. Kushtet për fëmijë tani janë shumë të mira. Ndërkaq, përtej humorit, kryeministri e pati një sqarim të vetin për këtë, edhe i dha të gjitha detajet. Por, unë konsideroj që është një gjë shumë e mirë që u diskutua kaq shumë për matematikën edhe e mira e gjithë kësaj është që ekuacionet me një të panjohur tashmë dijnë shumë më shumë”, deklaroi Nagavci në “DPT te Fidani”.
Ndryshe, Kurti u kërkoi falje dje nxënësve të klasës 7/1 të shkollës fillore “Ali Hadri”.
Kurti ka thënë se është i gëzuar që nuk ishte nxënës, sepse s’do të merrte notë kaluese.
“Ekuacioni i thjeshtë matematikor m’u duk që në sekondën e parë që e ka zgjidhjen x=5; pra pesë, porsi pesëshet që ua dëshiroj juve. Po të mendoja pak, do ta shihja që zgjidhja e saktë është x=0, por në atë rast, nuk besoj që do të merrja mundin të merrja shkumësin e të shkruaja në dërrasën e klasës suaj. Ju kërkoj falje. Zgjidhja e atij ekuacioni, ashtu qysh ju e dini më mirë se kryeministri i juaj, është x=0”, ka shkruar Kurti.