Shefja e Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Arbërie Nagavci ka thënë se takimet e liderit të LVV-së, njërit kryeministri Albin Kurti po zhvillon takime me liderët e partive, për të shmangur zgjedhjet, raporton Ekonomia Online.
“Takimet janë shumë intensive gjatë këtyre dite me të gjitha palët. Zoti Abdixhiku është kryetar i partisë që ka 15 deputetë dhe diskutimet janë të vazhdueshme me të gjitha palët që do të mund të shmangen zgjedhjet”, tha ajo.
Ajo theksoi se janë të interesuar që nënshkrimet e tyre të jenë në funksion të zgjedhjes së një kandidati apo kandidateje e cila do të votohet.
“Kryeministri Kurti, kryetar i lëvizjes, po bën gjithçka është në kompetencat dhe përgjegjësitë e tij që të kemi presidentin, presidenten brenda afatit kushtetues dhe që të shmangen edhe një palë zgjedhje, të cilat nuk janë në interesin e të mirën e vendit. Është e vërtetë që teknikisht Lëvizja Vetëvendosje mund të ketë nënshkrimet për dy kandidatë, ndërkohë që deputetët e Kuvendit teknikisht mund të kenë nënshkrimet për katër kandidatë. Dhe ne jemi të interesuar që nënshkrimet tona të jenë në funksion të zgjedhjes së kandidatit, kandidates e cila do të votohet edhe do të merr votat, gjithashtu do të sigurojë pjesëmarrjen e 80 deputetëve në Kuvend”, tha ajo.
