Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI), Arbërie Nagavci, tha se nuk kanë informata për mungesë të mësimdhënësve, raporton Ekonomia Online. Madje u shpreh e bindur se Kosova nuk do të ketë mungesë të mësimdhënësve për shkak të liberalizimit të vizave.
Në konferencën e fundit për këtë vit ,ajo ka folur edhe për procesin e furnizimit me libra, për çka tha se janë duke bërë një analizë dhe krahasim edhe me shtetet e tjera.
“Nuk kemi pasur asnjë informatë nga SBAShK-u për çështjen e mësimdhënësve, që janë duke pasur mungesë. Ne e dimë që disa fusha ka mungesë, por jo për shkak të liberalizimit të vizave, por se nuk kanë zgjedhur studentë këto drejtime. Unë besoj që Kosova nuk do të ketë probleme me mësimdhënësit. Ne jemi duke u siguruar që profesioni i mësimdhënësit, të jetë profesion i dëshiruar dhe i vlerësuar”.
“Jemi duke e bërë analizë financiare për koston që është shpenzuar, por edhe duke bërë krahasime me shtete të tjera. Informatat këtë vit do të jenë të hershme, para verës do të ndahen informatat sesi do t’i furnizojmë me tekstet shkollore”.
Ajo nga gazetarët u pyet edhe për kërkesën për udhëzimin administrativ për lejim të bartjes së shamisë në shkolla. Ajo tha se votimi i ligjeve për fushën e arsimit në Kuvend nuk duhet të kushtëzohet me hartimin e lejimin e bartjes së shamisë në shkolla, raporton EO.
“Do të ishte shumë mirë që deputetët e LVV-së por edhe nga deputetët e partive tjera t’i votojnë ligjet e fushës së arsimit në Kuvend. Për ne nuk ka kushtëzime. Ne e kemi obligim ta respektojmë Kushtetutën, pra asnjë nxënës nuk do të mbetët jashtë bankave shkollore”.
LEXONI EDHE: