Shefja e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci ka reaguar pas publikimit të aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese në të cilin thuhet se Kuvendi i Kosovës ka kohë edhe 34 ditë për zgjedhjen e presidentit të vendit.
Nagavci gjatë një prononcimi tha se me këtë aktgjykim është konfirmuar se dekreti i presidentes Osmani bie ndesh me Kushtetutën e Kosovës.
“Sapo kemi pranuar aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese i cili e konfirmon që dekreti i presidentes Osmani për shpërndarjen e Kuvendit bie ndesh me Kushtetutën dhe i jep hapësirë Kuvendit të Republikës së Kosovës që të vazhdojë punën dhe përpjekjet që të përfundojnë procedurën e zgjedhjes së Presidentit të Republikës së Kosovës”, tha fillimisht Nagavci.
Tutje, Nagavci thotë se zgjedhja e presidentit të Kosovës është përgjegjësi e të gjithë deputetëve të Kuvendit që kanë marrë mandatin nga zgjedhjet paralamentare duke i ftuar ata që të lënë anash inatet politike.
“Sipas Gjykatës tashmë i kemi edhe 34 ditë përpjekje për të zhvilluar dhe përfunduar procedurën e zgjedhjes së Presidentit të Kosovës dhe unë besoj që tashmë është një kohë që të gjitha inatet duhet të largohen, deputetët të kryejnë me përgjegjësi detyrën e tyre dhe të zgjedhim presidentin dhe të vazhdojmë punën në të gjitha institucionet e vendit. Besoj që kjo nuk duhet të jetë vetëm përpjekje e LVV-së, por e të gjithë deputetëve të cilët kanë marrë mandatin nga qytetarët për të kryer detyrën e tyre si deputetë dhe në kuadër të kësaj në bazë të kompetencave që i kanë edhe për të zgjedhur presidentin, besoj që vendit nuk i duhen edhe një palë zgjedhje të reja, është e panevojshme por edhe e padrejtë që të humbet kohë dhe të shkojmë edhe në një palë zgjedhje të reja aq më shumë kur është e qartë që pritet që rezultati të jetë i njëjtë. Andaj nevojitet një mobilizim angazhim i të gjithë neve që veçmas ne që jemi përfaqësues të qytetarëve në Kuvend që të gjejmë mënyrën që të gjejmë konsensus dhe të votojmë presidentin e vendit”, shtoi ajo.
E pyetur për emrat e kandidatëve potencial për të parin e vendit, Nagavci tha se fillimisht do të analizohet në tërësi vendimi i Gjykatës Kushtetuese.
Shefja e grupit paralamentare të LVV-së kujtoi se kryeparlamentarja e vendit i është drejtuar të njëjtës gjykatë për mospjesëmarrjen e deputetëve në seancën e fundit të zgjedhjes së presidentit.
“Tash puna e parë është që duhet të lexohet në tërësi aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese. E rëndësishme është që u konfirmua që dekreti ka qenë jokushtetues, për më tepër ne kemi një adresim të kryetares së Kuvendit, Albulena Haxhiu në lidhje me mospjesëmarrjen e deputetëve në seancën e zgjedhjes së presidentit edhe për faktin që ka një aktgjykim të mëhershëm që e kërkon nga deputetët që të jenë të pranishëm edhe me votën kundër apo abstenim, pra të marrin pjesë në proces pa paragjykuar qëndrimin që do të kenë, por thjeshtë që të mos bllokohet ky proces. Bazuar në këto do të planifikohen edhe hapat e radhës dhe natyrisht do të ju njoftojmë me kohë”, përfundoi Nagavci për T7.