Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, u ka bërë thirrje kryetarëve nga të gjitha komunat e Kosovës, t’i përgjigjen ftesës për bashkëpunim në ndërtimin e çerdheve të reja, raporton Ekonomia Online.
Nagavci tha se këtë e bëri përmes letrës së dërguar në të cilën ka kërkuar angazhimin e kryetarëve në mënyrë qe ta vazhdohet me procedura tjera.
“Sot kam nisur një letër tek të gjithë kryetarët e komunave për te kërkuar bashkëpunimin e tyre në ndërtimin e çerdheve. Përmes kësaj letre kam kërkuar që të angazhohen personalisht, në mënyrë qe të vazhdojmë në procese tjera”, u shpreh Nagavci në një konferencë për media.
Ngavaci tha se dikasteri që ajo e drejton, vitin e kaluar ka bërë një analizë në nivel vendi, ku për planifikimet janë njoftuar në vazhdimësi me takimet e rregullta që ka pasur me zyrtarë komunal.
“Përveç kësaj projekteve tipike, ne gjatë vitit të kaluar kemi hartuar 4 projekte modulare të cilat i kemi vene ne dispozicion të komunave për t’i përshtatur me lokacione. Projektet modulare i kemi finalizuar si projekte, me siguri, kohe të shkurtër dhe ndarjen e buxhetit te nevojshëm. Kemi siguruar buxhetin për ndërtimin e institucioneve parashkollore. I kemi te gjitha analizat, i kemi buxhetet dhe projektet janë të gatshme dhe komunat të gjejnë lokacionet qe i plotësojnë nevojat”, deklaroi Nagavci.
Ndërsa zëvendësministri i Arsimit, Taulant Kelmendi, tha se krahas rregullimeve legjislative janë angazhuar edhe tek infrastruktura fizike. Ai tregoi edhe për shumat që janë ndarë për ndërtimin e çerdheve nëpër komuna.
“Në këtë kontekst kemi buxhet të garantuar, projekte të gatshme, vetëm kërkojmë qe komunat t’i përgjigjen gatishmërisë sonë. Nga janari kemi 5 kërkesa nga komunat për ndërtimin e çerdheve. 799 mijë euro për ndërtimin e çerdhes në Prizren. 742 mije euro për Suharekë, 81 mijë euro në Gjilan. Në Babush të Ferizajt 98mijë dhe 85 mijë euro në Junik”, tha Kelendi.
Në fund u tha se deri më tani ka përfunduar ndërtimi i 9-të çerdheve, 35 janë në proces e 4 janë në prokurim. Ndërsa 4 kontrata tjera janë shkëputur për arsye të ndryshme.