Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI) Arbërie Nagavci ka mbajtur konferencë për medie, ku ka folur për ndërtimin e çerdheve të reja, raporton Ekonomia Online. Me këtë rast ajo tha se përfshirjes së fëmijëve në edukimin parashkollor, është prioritet Qeverisë.
Ai më tej shtoi se janë përballur me shumë sfida që nga mungesa e lokacioneve deri te vështirësitë procedurale, por që tha se me punë e përkushtim kanë arritur që të përmirësojnë qasjen në edukimin në fëmijëri të hershme.
Ajo bëri të ditur se vetëm këtë javë do të vendosen gurthemelet për ndërtimin edhe të tri çerdheve të reja në në: Podujevë, Deçan dhe Prizren. Përderisa tha se për 17 vjet nga qeveritë paraprake janë ndërtuar katër çerdhe, që nga marrja e mandatit, ajo saktësoi se 4 çerdhe janë të përfunduara, 26 në proces të punës, 6 adaptime të shkollave në çerdhe dhe 8 çerdhe në proces të tenderimit.
Kjo siç, tha ajo i bije se janë ndërtuar 850% më shumë çerdhe se në periudhën 2001-2023.
“Sa për informatë, vetëm këtë javë planifikojmë të vëmë gurthemelin për ndërtimin e 3 çerdheve të reja si në: Podujevë, Deçan dhe Prizren për të vazhduar së shpejti edhe me ndërtimin e çerdheve tjera”.
“Nga viti 2003 deri në përfundim të vitit 2020, pra për 17 vite – janë ndërtuar gjithsej 4 çerdhe për fëmijë. Nga marrja e mandatit tonë (2021) e deri më sot, struktura e çerdheve është si vijon: 4 çerdhe të përfunduara, 26 në proces të punës, 6 adaptime të shkollave në çerdhe në proces të punës dhe 8 çerdhe në proces të tenderimit”.
“Sipas kësaj i bie që 850% më shumë çerdhe janë në proces të ndërtimit ose të ndërtuara në periudhën 2021-2023, sesa në periudhën 2003-2020. Po filloj tani me prezantimin tonë të detajuar për çerdhet e ndërtuara që nga viti 2021 e deri më sot përfshirë edhe adaptimin e objekteve shkollore në çerdhe”.
Nagavci u shpreh e bindur se nuk do të ndalen që të krijojnë kushte për përmirësimin e qasjes në edukimin në fëmijëri të hershme, raporton EO.
“Siç e dini, ndërtimi i çerdheve ka qenë një nga premtimet tona të rëndësishme qeveritare dhe rritja e përfshirjes së fëmijëve në edukimin parashkollor, është prioritet i yni si Qeveri. Gjatë kësaj periudhe, jemi përballur me shumë sfida që nga mungesa e lokacioneve dhe aspekteve teknike për miratim të projekteve e planeve urbanistike të komunave, tek vështirësitë procedurale”.
“Megjithatë, me shumë punë e përkushtim jemi angazhuar që të krijojmë kushte për përmirësimin e qasjes në edukimin në fëmijëri të hershme sepse secili fëmijë meriton kujdes institucional për zhvillim të shëndetshëm në fëmijërinë e hershme”.
“Si Ministri e Arsimit dhe si Qeveri nuk do të ndalemi derisa të sigurohemi që secili fëmijë në Kosovë do të ketë një vend në institucionin ku mund të marrë bazë të fuqishme për zhvillimin dhe aftësimin e mëtutjeshëm për jetën”.