Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, me rastin e fillimit të vitit të ri shkollor, ka vizituar shkollën “Iliria” në Prishtinë, ku bëri të ditur se më shumë se 300 mijë fëmijë kanë filluar mësimin sot, raporton Ekonomia Online.
Nagavci ka thënë se përgatitjet për vitin e ri shkollor dhe furnizimi me tekste shkollore kanë shkuar mirë, e se nuk ka pasur asnjë shqetësim nga komunat.
Ajo ka theksuar se për herë të parë, mësimi parashkollor është bërë obligativ në tërë Kosovën.
“Më shumë se 300 mijë fëmijë sot do të fillojnë vitin e ri shkollor 2024/2025 me besimin e plotë për motivim, angazhim dhe me përkushtim të mësimdhënësve. Uroj që të kenë shëndet dhe mbarësi në këtë fillim të vitit shkollor”.
“Sivjet në të gjitha shkollat, në të gjitha komunat , për herë të parë është bërë i obligueshëm mësimi për fëmijët nga mosha pesë deri në gjashtë vjet, pra për parashkollorët. Ishim sot këtu në vizitën e parë, në klasën e parashkollorëve që të shohim se a kanë arritur suksesshëm që të bëhen përgatitjet”.
Tutje, ministrja ka thënë se janë në kontakt me komunat, nga të cilat presin ditëve në vijim edhe raportet për fillimin e vitit të ri shkollor.
Ajo ka thënë se sipas informatave që kanë, edhe furnizimi me tekste shkollore ka shkuar mirë, pa ankesa nga asnjë komunë, ndërsa ato të prindërve janë duke u shqyrtuar.
“Jemi në kontakt me komunat. Deri më tani nuk kemi ndonjë kërkesë apo shqetësim nga komunat. Gjatë ditëve në vijim, presim raportet nga komunat për gjithçka, për furnizimin me tekste, për fillimin e vitit shkollor, numrin e nxënësve e kështu me radhë”.
“Furnizimi me tekste shkollore kanë shkuar shumë mirë, sipas informatave. Nga asnjë komunë nuk kemi asnjë shqetësim. Kërkesat që janë paraqitur nga prindërit apo kujdestarët ligjorë janë duke u shqyrtuar”, ka thënë Nagavci, raporton EO.