Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci mori pjesë në Olimpiadën e 16 të Matematikanëve të Kosovës, në të cilën po marrin pjesë 500 garues nga të gjitha komunat e Kosovës.
Ministrja Arbërie Nagavci me këtë rast ka thënë se, në këtë ditë të spikatur na vijnë në mendje fjalët e pionierëve të shquar të fushës së shkencave në përgjithësi, dhe matematikës në veçanti.
Ministrja Nagavci theksoi se, ndjehet krenare që mbështetja që po ofron Ministria e Arsimit për Shoqatën e Matematikanëve të Kosovës po jetësohet me organizimin e Olimpiadës së 16, e cila këtë vit përfshinë edhe nxënësit e klasave VII dhe VIII.
Ndër të tjera, ministrja Nagavci theksoi se Olimpiada merr rëndësi të veçantë duke ditur se fituesit e sotëm do të përfaqësojnë Kosovën në gara të rëndësishme ndërkombëtare siç janë: Olimpiada e Matematikës në Mbretërinë e Bashkuar, Olimpiadën Evropiane të Matematikës për Vajza në Gjeorgji dhe Olimpiadën e Matematikës Kosovë-Shqipëri.
Në këtë ngjarje të rëndësishme për matematikën folën edhe kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, rektori i Universitetit të Prishtinës, Qerim Qerimi, ambasadori i Suedisë, Jonas Westerlund, ndërsa të pranishëm ishin edhe zëvendësministri i Arsimit, Taulant Kelmendi dhe akterë të tjerë të rëndësishëm të institucioneve arsimore.