Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, është shprehur e bindur se kompensimi i orëve të humbura për shkak të grevës së mbajtur nga SBAShK-u do të fillojë nesër, raporton Ekonomia Online.
E para e Arsimit, thirrjet për mosmbajtje të orëve i quajti vepër penale, teksa e kundërshtoi ashpër propozimin e Komunave për shtim të një ore në fund të ditës.
Ajo tha se janë 22 ditë të humbura, të cilat sipas saj duhet të kompensohen.
“Ministria e Arsimit në bazë të kompetencave që ka, ka nxjerrë kalendarin për vitin e ri shkollor dhe të gjithë e dinë që 22 ditë ka hunbur mësimi dhe është një humbje e madhe dhe patjetër se duhet të kompensohen orët e humbura. Kushdo që bën thirrje për mosmbajtje të mësimit jo vetëm që tregon papërgjegjshmëri por bën edhe vepër penale”, tha Nagavci.
Ndërsa për shqetësimin e Komunave se mbajtja e orëve gjatë vikendit do të ketë kosto shtesë, Nagavci tha se edhe kjo çështje është menduar.
“Ministria e Arsimit dhe Grupi punues që ka bërë kalendarin e ri shkollor, i ka marrë parasysh të gjithë faktorët. Është e rëndësishme se kalendari nuk bëhet sipas dëshirave e as pa planifikim. Janë edhe çështje teknike, pra do të sogurohemi që secila orë e humbur të mbahet gjatë ditëve në vijim dhe janë edhe çështjet praktike. Kushdo që propozon që mësimi të mbahet në atë mënyrë që të shtohet vetëm një orë në fund të ditës, ose tregon që nuk kupton sesi organizohet procesi mësimor ose tregon që po bën thirrje që të bëhet një mashtrim sepse është e pamundur që të mbahet vetëm një orë në fund të ditës”, tha tutje Nagavci.
Tutje Nagavci tha se mësimdhënësit të cilët nuk do ta respektojnë këtë vendin, nuk do të kompensohen. Ajo këtë e quajti obligim për të respektuar ligjin e assesi ndëshkim, raporton EO.
“Kjo nuk ka të bëjë me ndëshkime por ka të bëjë me respektim të legjislacionit. Sigurisht inspektorët e Arsimit nesër do të jenë në terren ne kemi pasur mirëkuptim dhe kemi realizuar pagesat me avans, nëse nuk mbahet dita e mësimit, sigurisht se nuk do të ketë edhe kompensim. Kjo nuk është ndëshkim por është obligim për të respektuar ligjin”, tha tutje Nagavci.