Paralajmërimi i ministres Arbërie Nagavci, për ndryshim vendimi për pajisjen me tekstet shkollore për nxënësit, nuk po mirëpritet aspak nga njohësit e çështjes së Arsimit.
”E shoh si një orvatje për t’i shmangur keqpërdorimet. Mendoj se ky opsion do të kishte komplikime tepër shumë financiare për realizimin e mjeteve, dhe nuk është e realizueshme për dy javë deri në fillimin e viti shkollor”, tha Xhavit Rexhaj për klankosova.tv.
Madje ai ka një arsye pse një vendim i tillë nuk është i duhuri.
”Kjo për shkak se është e parealizueshme, këtë e them edhe nga përvoja kur i kemi shpërndarë”.
”E di sa shumë punë logjistike ka”, shprehet ai.
Kurse, kryetari i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi, tha për klankosova.tv, se ministrja Nagavci për këtë nismë, nuk i ka konsultuar fare fare drejtorët komunalë të arsimit.
”Po vazhdohet me marrjen e vendimeve në mënyrë arbitrare”.
”Ministrja Nagavci nuk është konsultuar fare me drejtorët komunalë të arsimit (DKA) për këtë metodologji, pra që prindërit t’i blejnë tekstet për fëmijët e tyre, e që më pas ministria t’ua rimbursojë paratë atyre, përmes aplikimit në e-Kosova”.
”Neve si AKK do e kemi takimin e kolegjiumit të arsimit (ku DKA-të janë anëtarë) ku edhe do të diskutohen këto probleme”.
”E ftuar është edhe ministrja Nagavci. Pra po themi që këto vendime po merren pa u konsultuar fare me komunat. DKA-të nuk janë të informuara fare për këtë çështje”, konfirmoi Ibrahimi, për klankosova.tv.
Ai shpreh shqetësim tutje që kjo mund të shkaktojë edhe pasoja në ciklin e ardhshëm të edukimit.
”Kjo tregon se tekstet shkollore mund të vonohen akoma më shumë dhe që kjo të ketë pasoja në një fillim të mbarë të vitit të ri shkollor!”.
Teksa njohësi i çështjeve të arsimit, Xhavit Rexhaj, potencoi edhe disa probleme të tjera me të cilin vendim mund të ballafaqohen prindërit.
”Pagesa tepër e vështirë të realizohet”.
”Sidomos prindërit e kategorive sociale me të varfërit komunitet romë, egjiptian e ashkali munden të mos kenë xhirollogari, të mos dinë t’i bëjnë pagesat”.
”Paratë mund t’i përdorin për tjetër gjë para se t’i përdorin për librat”.
”Do të ishte e vështirë për prindërit të menaxhojnë këtë proces. Konsideroj se do të ketë vetëm komplikim”, thotë Rexhaj.
”Mendoj që shtëpitë botuese të bëjnë punën e shpërndarjes, por të ketë mbikëqyrje rigoroze ndërsa përgatitjet duhej të kishin filluar shumë më herët”.
Derisa vet Sazan Kryeziu vazhdoi me thirrjen që të ketë siguri nga MASHTI që nxënësit do t’i blejnë të gjitha tekstet shkollore të parapara.
”Nuk kemi informata lidhur me rregullimin ligjor të kësaj çështje”.
”Ne jemi në dijeni se MASHTI e ka obligim Ligjor që t’i sigurojë tekstet shkollore për nxënësit që vijojnë mësimin e obliguar”.
”Kush garanton se mjetet do të shpërndahen saktë në llogaritë e prindërve kur dihet se shumë prindër mund të mos kenë llogari bankare? Si do të përzgjidhen tekstet e shkollave nga ana e prindërve (fjala është për shtëpitë botuese)? Çka nëse një libër ka qenë i kontraktuar të shtypet për 5 euro e që po të njëjtin libër prindërit duhet ta paguajnë në librari 7 euro?”, shprehet Ibrahimi me kureshtje.
Madje ai potencoi se ka komuna që nuk kanë fare librari.
”Çfarë mase ka paraparë MASHTI që të jetë i sigurt se nxënësit do t’i blejnë të gjitha tekstet shkollore të parapara? Ka komuna që nuk kanë librari fare”.
”Këto janë problemet që MASHTI është dashur t’i diskutojë me komunat përpara se të sjellë vendime të tilla”, përfundoi Ibrahimi.
Kujtojmë që Nagavci tha sot se po shqyrtojnë mundësinë e kalimit të përgjegjësisë tek prindërit, për blerjen e teksteve shkollore, teksa sipas saj atyre edhe do t’u rimbursohen mjetet nëpër llogari bankare.