Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, në një konferencë për medie foli për punën që ka bërë Ministria përgjatë muajit qershor, raporton Ekonomia Online.
Ajo ka bërë të ditur se shumë shpejt nxënësit do ta kenë lëndë zgjedhore Edukimin për Siguri. Gjithashtu Nagavci ka treguar se është mbajtur testi i arritshmërisë për të cilin njoftoi se do dilnin raporte mbi mbarëvajtjen e tij.
Përderisa për maturën shtetërore tha se menaxhimi ka qenë më i mirë se vitet paraprake.
“Më lini të filloj me publikimin e rezultateve të maturës shtetërore ku kalueshmëria ka qenë 66.04%. Provimi i dytë do mbahet në afatin e gushtit. Në krahasim me vitet e kaluara menaxhimi ka qenë më i mirë. Sigurisht që ka nevojë për punë të mëtutjeshme për të ndaluar kopjimin”, tha ajo.
“Në javën e kaluar besoj se keni parë që kemi marrë pjesë në programin Monitorimi në Siguri. Pos bashkëpunimit në mes të Ministrisë së Mbrojtjes dhe asaj të Arsimit kemi bashkëpunuar edhe me Forcat e Sigurisë”, u shpreh ministrja.
“Si dhe do vendosim si lëndë zgjedhore ‘Edukimin për Siguri’ për t’i njoftuar të rinjtë mbi atë se çka nevojitet për siguri. Si dhe është miratuar ligji për Agjencinë e Akreditimit. Do veçoja edhe Udhëzimin për këshilltarët për karrierë në shkolla të mesme të larta dhe nëpër gjimnaze. Këshilltari për karrierë ka rëndësi tejet të madhe për të ndërtuar vetëbesimin e nxënësve dhe për të krijuar mundësi suksesi për ta”.
“Çmimin e Shkencëtarit të vitit e ka fituar Valbona Mehmeti, çmim që është shpallur në muajin qershor. 170 mijë euro i kanë përfituar 7 organizata të cilat merren me identifikimin dhe avancimin e nxënësve me inteligjencë të jashtëzakonshme. Nxënësve që do garojnë në Olimpiadën e Matematikës në Tokio u janë ndarë tetë mijë euro të cilëve i’u uroj shumë sukses siç i uroj çdo nxënësi që përfaqëson Kosovën në gara të tilla”, u shpreh Nagavci.