Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit Arbërie Nagavci, ka thënë se nga mediat është njoftuar për aktakuzën ndaj saj se ka kryer veprën penale, “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve, “për çka duhet të shpreh keqardhje se si është e mundur që institucionet përgjegjëse të mos njoftojnë personin ndaj të cilit është ngritur aktakuza para çdokujt tjetër”.
“Për aq sa u njoftova nga mediat, aktakuza ka të bëjë me angazhimin tonë në kundërshtim të marrëveshjeve të dëmshme, përkatësisht ‘’Zajednicë’’ e ‘’Demarkacion’’, njëra që cungonte sovranitetin, tjetra territorin e Kosovës”, ka shkruar Nagavci në Facebook.
Por, ajo thotë se “nëse asokohe isha e sigurt, sot në vitin 2022 jam edhe më e bindur se kundërshtimi dhe rezistenca përveçse i drejtë ishte edhe i domosdoshëm”.
Sipas saj, deputeti betohet në respektimin dhe mbrojtjen e Kushtetutës dhe pas vendimit të GJK-së me 2015 mosveprimi ndaj cënimit që po i bëhej vendit do të përbënte shkelje e betimit të deputetit.
“Teksa dëmet e këtyre marrëveshjeve jemi duke i vuajtur edhe sot, ndihem krenare që isha në anën e kundërt me politikën që sjellte kompromise, dëmtonte vendin dhe shkatërronte të ardhmen e qytetarëve”.
Nagavci, është duke u akuzuar se më 21 mars të 2018, gjatë mbajtjes së seancës në Kuvendin e Kosovës në të cilën ishte hedhur gazi lotësjellës, gjatë kontrollimit nga policia asaj i është gjetur një sprej ngjyrë e gjelbër me pjesë spërkatëse të zezë.