Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI), Arbërie Nagavci të enjten ka mbajtur konferencën e fundit për këtë vit, raporton Ekonomi Online. Nagavci tha se po punojnë që të realizojnë një nga një premtimet e Qeverisë. Mësimi dual, që ajo e përmendi në fillim të fjalimit, tha se është një prej premtimeve të realizuara më të rëndësishme, sepse kontribuon në lidhjen e njohurive të nxënësve me tregun e punës.
Nagavci ka sqaruar se në tre muajt e ardhshëm, Kosova do ta ketë një plan të detajuar për punën dhe veprimet për përmirësimin e rezultateve në testin PISA.
“Siç e dini, në fillim të këtij muaji u publikuan rezultatet për Vlerësimin Ndërkombëtar të Nxënësve (PISA) 2022. Në Vlerësimin PISA 2022 u vlerësuan 6027 nxënës nga 229 shkolla; Si Ministri kemi punuar në Pakon Ligjore për ngritjen e cilësisë në shkolla; Kemi miratuar Udhëzimet administrative që e rregullojnë procesin e licensimit dhe avancimit në karrierë të mësimdhënësve, vlerësimin e performancës së mësimdhënësve dhe zhvillimin profesional të mësimdhënësve; -Prej qershorit të vitit të ardhshëm synojmë të nisim me provimin për licencë të avancuar për mësimdhënës, sipas kritereve të përcaktuara; Në tre muajt e ardhshëm do ta kemi një plan të detajuar për punën dhe veprimet për përmirësimin e rezultateve të fëmijëve tanë në testimin e radhës”.
“Disa veprime veçse i kemi ndërmarrë siç janë: Fillimi i rishikimit të teksteve shkollore, -Miratimi i ligjit për Edukimin në Fëmijërinë e Hershme, Hartimi i Kurrikulës së re për Edukimin në fëmijërinë e hershme dhe pilotimi i saj ka nisur javë më parë; Zhvillimi në karrierë i mësimdhënësve; Udhëzimet administrative që kanë të bëjnë me licensimin dhe avancimin në karrierë të mësimdhënësve; Siç edhe e kemi thënë, si Ministri, jemi fokusuar tek përmirësimi i politikave dhe angazhimi për përmirësim të cilësisë, rezultatet e të cilave nuk mund të shihen menjëherë. Ndikimi i këtyre politikave dhe intervenimeve në sistem të arsimit mund të vërehet në ciklin tjetër të PISA”.
Nagavci shtoi se prej qershorit të vitit të ardhshëm synojnë që të nisin me provimin për licencë të avancuar për mësimdhënës, sipas kritereve të përcaktuara.
“Jemi në proces të udhëzuesit që do të bëjë realizimin dhe jemi në bashkëpunim me Shqipërinë, synimi është që nga qershori ta fillojmë testimin e mësimdhënësve për licencë të avancuar”.
Ajo ka folur edhe rreth rritjes së buxhetit për vitin 2024. Nagavci tha se nga viti i ardhshëm shkollimi parafillor do të jetë i obligueshëm për çdo nxënës. Më tutje ajo ka përmendur se është hera e parë që Kosova ka një kolegj publik, ai i IBCM.
“Kuvendi i Republikës së Kosovës, ditë më parë miratoi buxhetin për vitin e ardhshëm ku për fushën e arsimit gjatë vitit 2024 janë planifikuar 408,988,408 euro. Rritja e buxhetit për arsimin tregon përkushtimin e Qeverisë për prioritizim të arsimit, rritje të cilësisë në arsimin universitar dhe parauniversitar si dhe përmirësim të infrastrukturës në arsim. Projektet, investimet dhe shpenzimet e planifikuara për 2024 nga Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit do të mund të realizohen në tërësi me 100,120,951 euro nga të cilat 43,012,054 euro janë investime kapitale dhe 8,770,360€ subvencione dhe transfere. Buxheti për arsimin në komuna është rritur në 277,157,385 euro dhe buxheti për Universitetin e Prishtinës është 31,710,072 euro. Mbesim të përkushtuar që me këtë buxhet të realizohen kushte më të mira dhe rritje e cilësisë në arsim”.
Ndërkohë ajo ka përmendur edhe ndërtimin e çerdheve dhe objekteve shkollore gjatë udhëheqjes së tyre në arsim.
“Gjatë vitit 2023 ka përfunduar ndërtimi i çerdhes në Suharekë dhe në Prizren. Po vazhdon ndërtimi i 12 çerdheve të reja të kontraktuara me investime nga MAShTI dhe gjashtë tjera me investime nga BE me projektin IPA 2016. Po këtë vit janë kontraktuar për ndërtim edhe gjashtë çerdheve të reja. Ka përfunduar adaptimi i tre shkollave në çerdhe dhe ka vazhduar adaptimi i katër shkollave tjera në kopshte për fëmijë, ndërkaq që është kontraktuar adaptimi edhe i pesë shkollave dhe objekteve tjera po ashtu në kopshte për fëmijë”.
Nagavci ka përmendur edhe ndarjen e shtesave nga Ministria për nevojat e materialeve shkollore, nga 80 euro për nxënësit e klasave të para deri në të gjashtën, dhe nga 30 euro për nxënësit e klasës së gjashtë deri në klasën e nëntë.
“Projektligji për tekste shkollore i finalizuar në fund të vitit të kaluar dhe i votuar në Qeveri është në trajtim në Kuvend duke hapur rrugën për infrastrurën e nevojshme ligjore për adresimin e sfidave të deritanishme rreth hartimit dhe pajisjes me tekste cilësore. Ky Projektligj është një hap shumë i rëndësishëm drejt një arsimi më cilësor dhe përmirësimit të rezultateve! Projektligji mundëson reformë për të siguruar tekste cilësore për nxënësit tanë, transparencë, llogaridhënie dhe konkurrencë të lirë. Këtë vit shkollor për herë të parë kemi subvencionuar blerjen e teksteve shkollore ku pas aplikimit në E-Kosova pagesat janë bërë në llogari të prindërve ose kujdestarëve të fëmijëve. Për nxënësit nga klasa 1 deri në 5 kemi ndarë 80 euro për blerjen e teksteve shkollore ndërsa për nxënësit nga klasa 6 deri në klasën e 9 të cilët veçse i kanë pasur tekstet nga vitet e kaluara kemi ndarë nga 30 euro si mbështetje për materiale të tjera shkollore”.
Fjalimi i plotë:
Lidhja e arsimit dhe e aftësimit profesional me tregun e punës dhe ekonominë është një nga premtimet e Qeverisë sonë, që po e realizojmë. Vitin e kaluar për herë të parë filluam mësimin dual në 4 shkolla profesionale, me 4 profile në 3 komunave të ndryshme. Ndërsa këtë vit shkollor e zgjeruam arsimin dual edhe me 8 profile të reja. Nga ky vit shkollor kemi gjithsej 12 profile të arsimit dual në 21 shkolla profesionale në 14 komuna të ndryshme. Përveç profileve: Kuzhinier, Asistent i mikpritjes hoteliere (kamarier), Floktar e Murator tashmë na janë shtuar edhe profilet: Rrobaqepësi, Automekanik, Metal përpunues, Përpunues i drurit, Instalues i ngrohjes dhe klimatizimit, Instalues elektrik, Tregti me shumicë dhe pakicëm estetist. Synimi ynë është të vazhdojmë të zgjerohemi edhe me profile të reja në më shumë shkolla e komuna.
Duke e pasur arsimin dual si prioritet tonë, muaj më parë lansuam fushatën “Mësimi dual: Mundësi për punësim dhe vetëpunësim të të rinjve”, me mbështetje të Deutsche Gesellschaft fuer Internationale Zusammenarbeit (GIZ) GmbH. Synimi i kësaj fushate është të zgjerojmë dhe avancojmë procesin e përgatitjes së rinisë tonë për tregun e punës. Falenderoj bizneset, grupet punuese, shkollat dhe të gjithë ata e ato që po mundësojnë që arsimi dual sipas modelit të vendeve gjermanofolëse të jetësohet suksesshëm edhe në Kosovë! Siç e dini, për vite me radhë tekstet shkollore janë përcjellë me sfida dhe probleme të shumta, përfshirë aspektin përmbajtësor dhe atë teknik. Për këtë arsye, në prill të këtij viti filluam rishkimin e teksteve shkollore me përkrahje të projektit të BE-së, KosEd ku në fazën e parë janë analizuar 38 tekste, prej tyre 21 të gjuhës shqipe dhe 17 të matematikes.
Raporti për rishikimin e teksteve shkollore të gjuhës Shqipe dhe Matematikës për arsimin e obligueshëm u prezantua ditë më parë. Përgëzoj të gjithë ata që kanë kontribuuar për raporte gjithëpërfshirëse dhe profesionale dhe mirënjohje për BE-në si partner kyç në vazhdimësi. Sipas gjetjeve të kësaj analize: -Shumica e njësive mësimore ofrojnë mësim të de-kontekstualizuar dhe teorik. -Shumë nga tekstet shkollore fokusohen në mësimin përmendsh, memorizimin e procedurave dhe praktikimin e detyrave rutinore të de-kontekstualizuara. -Në shumicën e teksteve të analizuara janë vërejtur gabimet drejtshkrimore, përkufizime konfuze dhe mungesë qartësie në ritmin e të nxënit. -Një nga veçoritë e teksteve të analizuara është mungesa e vlerësimit ose përdorimi jo i duhur i metodave për vlerësimin aktual të nxënësve.
Kuvendi i Republikës së Kosovës, ditë më parë miratoi buxhetin për vitin e ardhshëm ku për fushën e arsimit gjatë vitit 2024 janë planifikuar 408,988,408 euro. Rritja e buxhetit për arsimin tregon përkushtimin e Qeverisë për prioritizim të arsimit, rritje të cilësisë në arsimin universitar dhe parauniversitar si dhe përmirësim të infrastrukturës në arsim. Projektet, investimet dhe shpenzimet e planifikuara për 2024 nga Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit do të mund të realizohen në tërësi me 100,120,951 euro nga të cilat 43,012,054 euro janë investime kapitale dhe 8,770,360€ subvencione dhe transfere. Buxheti për arsimin në komuna është rritur në 277,157,385 euro dhe buxheti për Universitetin e Prishtinës është 31,710,072 euro. Mbesim të përkushtuar që me këtë buxhet të realizohen kushte më të mira dhe rritje e cilësisë në arsim.
Një hap shumë i rëndësishëm këtë vit ishte edhe miratimi i Ligjit për Edukimin në fëmijërinë e hershme. Përmes këtij ligji po rregullojmë ofrimin e edukimit cilësor në të gjitha format e organizimit të edukimit për më të vegjëlit tanë prej lindjes deri në moshën 6 vjeçare. Me ligjin e ri, nga viti i ardhshëm shkollor, edukimi Parafillor bëhet i obliguar. Ligji i ri ofron: Koordinim ndërsektorial, Edukim në familje, Ushqyeshmëri, krijim të menyve ushqimore, Sigurim e rregullim të materialit didaktik, Monitorim të punës edukative, Aftësim të dadove, Qasje holistike. Me këtë ligj kemi vendosur standard të ri, mundësi për të gjithë fëmijët të edukohen e të bëhen qytetarë të zotë e kontribues për veten dhe për shoqërinë. Po ashtu, krahas ligjit këtë vit kemi finalizuar Kurrikulën për zhvillimin në fëmijërinë e hershme, si një dokument i domosdoshëm për fëmijët tanë.
Në korrik të këtij viti kam nxjerrë vendim për themelimin e Kolegjiumit të institucioneve parashkollore në Kosovë. Bashkë me kolegjiumin do të promovojmë cilësinë, barazinë dhe iniciativat për të mbështetur institucionet parashkollore në arritjen e standardeve optimale të edukimit në fëmijërinë e hershme. Kolegjiumi do të përbëhet nga drejtorët dhe drejtoreshat e të gjitha formave të organizimit të institucioneve parashkollore.
Një tjetër hap i rëndësishëm në arsimin e lartë i realizuar këtë vit është miratimi i Ligjit për Agjencinë e Kosovës për Akreditim (AKA). Ky ligj është një nga hallkat e rëndësishme të garantimit të cilësisë në arsimin e lartë dhe ndërkombëtarizimin e sistemit tonë të arsimit. Ky ligj garanton pavarësi institucionale dhe financiare të AKA, merr në konsideratë rekomandimet e Asociacionit Evropian për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë (ENQA) si dhe garanton harmonizimin e sistemit tonë të arsimit me Standardet dhe Udhëzuesit Evropian të sigurimit të cilësisë (ESG). Ligji pamundëson çdo ndërhyrje në pavarësinë e AKA-së dhe krijon bazë të fortë për kthimin e saj në ENQA dhe EQAR.
Gjatë këtij viti finalizuam dhe u miratua Programi Kombëtar i Shkencës 2023-2028. Pas një dekade pasive, PKSh 2023-2028 në mënyrë aktive shtron rrugën për zhvillimin e kapaciteteve njerëzore dhe ato të infrastrukturës shkencore në Kosovë, duke ndikuar direkt në rritjen e pjesëmarrjes së institucioneve kosovare dhe hulumtuesve tanë për kërkime shkencore dhe inovacion në Zonën Evropiane për Kërkime (ERA), si dhe në rritjen e pjesëmarrjes në projektet shkencore në Evropë. I hartuar nga ekspertë, profesorë dhe studentë, ky program do të shërbejë si një udhërrëfyes drejt zhvillimit të kapaciteve kërkimore-shkencore dhe inovative, duke orientuar politikat e kërkimit shkencor në Kosovë, në mbështetje të koherencës dhe efikasitetit të sistemit kombëtar të kërkimit shkencor. Me qëllim të përkrahjes dhe promovimit të këtyre nxënësve, këtë vit kemi ndarë 170 mijë euro për këto organizata ndërsa përfituese janë 7 organizata të shoqërisë civile. Si Ministri, do të vazhdojmë të financojmë projektet që kanë në fokus talentët sepse, përgatitja e tyre është hap i rëndësishëm edhe për fuqizimin e shtetit tonë.
Në korrik të këtij viti themeluam kolegjin IBCM, kolegji i parë publik me programe 100% me akreditim ndërkombëtar dhe ligjërim në gjuhën angleze. Rreth 15 milion vlerë asete nga investimet shtetërore dhe ndërkombëtare i kalojnë shtetit të Kosovës. Ky kolegj, shtrihet në dy kampuse, në Mitrovicën e Veriut dhe Mitrovicën e Jugut duke përfshirë komunitete të ndryshme në Kosovë. Këtë vit akademik kanë nisur studimet 258 studentë të rinj në këtë kolegj të cilët përfaqësojnë shpresën tonë për të ardhmen. IBCM ofron 4 programe në Bachelor dhe një program në Master, të akredituar nga agjencia EVALAG në Gjermani dhe validuar nga Agjencia për Akreditim në Kosovë. Si Ministri kemi investuar 270 mijë euro për fillim dhe kemi mbështetur të gjitha veprimet procedurale për të siguruar arsim të lartë cilësor në këtë kolegj.
Në nëntor të këtij viti, për një javë rresht në rreth 300 shkolla vullnetare në vend realizuam iniciativën globale-Ora e Kodimit. Me këtë rast, shkollat dhe qendrat partnere organizuan kurse të kodimit, projekte, prezantime e sesione informuese rreth kodimit, inteligjencës artificiale e shkencave kompjuterike. Ora e Kodimit ka për synim kryesor krijimin e një lëvizje globale që i inkurajon të gjithë të mësojnë kodimin dhe teknologjinë, duke filluar nga fëmijëria e hershme.
Dy muaj më parë, prezantuam fituesit e projektit në Ngritjen e Kapaciteteve në Arsimin e Lartë. Në thirrjen e këtij viti, në fushën e arsimit të lartë janë përzgjedhur për financim nga Komisioni Evropian 13 projekte me 27 institucione përfituese nga Kosova. Nga këto 13 projekte, 4 institucione të arsimit të lartë janë bartës/koordinatorë të këtyre projekteve.
Po ashtu, në thirrjen e këtij viti, kemi mbi 37 institucione të arsimit të lartë dhe profesional nga Kosova që janë përfituese të skemave të Programit Erasmus+ për arsimin e lartë dhe atë profesional.
Këtë vit, pas një kohe të gjatë, kemi fituar një projekt strukturor të udhëhequr nga Fakulteti i Edukimit në UP, ku MASHTI është përfitues. Në fushën e arsimit profesional kemi 5 projekte përfituese, me gjithsej 10 institucione përfituese nga Kosova. Padyshim, Komisioni Evropian ka qenë dhe mbetet partneri ynë më i rëndësishëm në të gjitha këto fusha për çka i falenderohemi shumë. Në tetor të këtij viti hapëm konkursin për 5 skema të bursave të ndryshme për studentët për vitin akademik 2023-2024 me c’rast ndamë 3 milionë euro për këtë mbështetje. Ndërkaq gjatë këtij viti kemi ndarë bursa për nxënës e studentë. Tashmë kemi ekzekutuar pagesën për të gjitha skemat e bursave që i kemi ndarë gjatë këtij viti.
Konkretisht: -1882 studente vajza/gra që janë regjistruar për herë të parë në programet e studimit STEM dhe studente të cilat kanë përfunduar vitin e parë dhe të dytë të studimeve kanë përfituar nga 1 mijë euro. Shuma totale e pagesës 1.882.000 euro. -1647 studentë të nivelit bachelor dhe master me notë mesatare 9 kanë përfituar nga 1 mijë euro. Shuma totale e pagesës 1.647.000 euro. -28 studentë me aftësi të kufizuara, kanë përfituar nga 1 mijë euro. Shuma totale e pagesës 28.000 euro. -55 studentë të komuniteteve rom, ashkali, dhe egjiptianë përfitues të bursave për vitin akademik 2023/2024 kanë përfituar nga 1 mijë euro. Shuma totale e pagesës 55.000 euro. -70 bursa në drejtimet deficitare dhe drejtimet teknike në vlerë 500 euro për një vit shkollor. Shuma totale e pagesës 35.000 euro. -13 përfitues të bursave të nivelit master në top 150 universitetet më të mira në botë sipas listës Shanghai 2023. Përfituan nga 7 mijë euro. Shuma totale e pagesës 91.000 euro. -43 përfitues të mbështetjes financiare për studentët të cilët ndjekin studimet e doktoratës në 500 universitetet më të mira në botë sipas listës “Shanghai” të vitit 2023. Shuma e mbështetjes financiare për secilin student është 8,500 euro. Shuma totale e pagesës 365.500 euro. -467 përfitues të bursave për nxënësit e shkollave të mesme të larta për nxënësit e komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian. Përfituan nga 300 euro. Shuma totale e pagesës 140.100 euro. – 89 përfitues të bursave për nxënësit e gjimnazit të specializuar matematikor në Prishtinë, për vitin shkollor 2023/24, kanë përfituar nga 1 mijë euro. Shuma totale e pagesës 89.000 euro.
Gjatë vitit 2023 ka përfunduar ndërtimi i çerdhes në Suharekë dhe në Prizren. Po vazhdon ndërtimi i 12 çerdheve të reja të kontraktuara me investime nga MAShTI dhe gjashtë tjera me investime nga BE me projektin IPA 2016. Po këtë vit janë kontraktuar për ndërtim edhe gjashtë çerdheve të reja. Ka përfunduar adaptimi i tre shkollave në çerdhe dhe ka vazhduar adaptimi i katër shkollave tjera në kopshte për fëmijë, ndërkaq që është kontraktuar adaptimi edhe i pesë shkollave dhe objekteve tjera po ashtu në kopshte për fëmijë.
Po këtë vit, ka përfunduar ndërtimi i 6 objekteve shkollore: shkollës në Grabanicë të Klinës, shkollës në Junik, shkollës në Krushë të Madhe, shkollës në Lumbardh të Deçanit, shkollës në Zaskok të Ferizajt, dhe shkollës në Vrajakë e Brabotin të Rahovecit. Po ashtu, ka vazhduar ndërtimi i 15 shkollave tjera të reja me investime nga MASHTI dhe 2 shkollave me investime nga BE me projektin IPA 2017. Si Qeveri po punojmë që, secila shkollë e secili mësues, të jetë i gatshëm e i motivuar për t’u ndihmuar fëmijëve që të shfrytëzojnë potencialin e tyre të plotë.
Projektligji për tekste shkollore i finalizuar në fund të vitit të kaluar dhe i votuar në Qeveri është në trajtim në Kuvend duke hapur rrugën për infrastrurën e nevojshme ligjore për adresimin e sfidave të deritanishme rreth hartimit dhe pajisjes me tekste cilësore. Ky Projektligj është një hap shumë i rëndësishëm drejt një arsimi më cilësor dhe përmirësimit të rezultateve! Projektligji mundëson reformë për të siguruar tekste cilësore për nxënësit tanë, transparencë, llogaridhënie dhe konkurrencë të lirë. Këtë vit shkollor për herë të parë kemi subvencionuar blerjen e teksteve shkollore ku pas aplikimit në E-Kosova pagesat janë bërë në llogari të prindërve ose kujdestarëve të fëmijëve. Për nxënësit nga klasa 1 deri në 5 kemi ndarë 80 euro për blerjen e teksteve shkollore ndërsa për nxënësit nga klasa 6 deri në klasën e 9 të cilët vecse i kanë pasur tekstet nga vitet e kaluara kemi ndarë nga 30 euro si mbështetje për materiale të tjera shkollore.
Për të dytin vit me radhë kemi siguruar tekste shkollore për nxënësit e Preshevës, Medvegjës e Bujanocit. Muaj më parë Qeveria ka ndarë 254 mijë e 562 euro për blerjen e teksteve në gjuhën shqipe për nxënësit e Preshevës, Medvegjës e Bujanocit. Edhe vitin e kaluar kemi ndarë 255 mijë euro për pajisjen me tekste mësimore në gjuhën shqipe për nxënësit shqiptarë të këtyre komunave. Si Qeveri e Ministri e Arsimit jemi të përkushtuar për të ofruar mbështetje për nxënësit, studentët dhe të rinjtë e Luginës së Preshevës.
Siç e dini, në fillim të këtij muaji u publikuan rezultatet për Vlerësimin Ndërkombëtar të Nxënësve (PISA) 2022. Në Vlerësimin PISA 2022 u vlerësuan 6027 nxënës nga 229 shkolla. -Si Ministri kemi punuar në Pakon Ligjore për ngritjen e cilësisë në shkolla; -Kemi miratuar Udhëzimet administrative që e rregullojnë procesin e licensimit dhe avancimit në karrierë të mësimdhënësve, vlerësimin e performancës së mësimdhënësve dhe zhvillimin profesional të mësimdhënësve; -Prej qershorit të vitit të ardhshëm synojmë të nisim me provimin për licencë të avancuar për mësimdhënës, sipas kritereve të përcaktuara; -Në tre muajt e ardhshëm do ta kemi një plan të detajuar për punën dhe veprimet për përmirësimin e rezultateve të fëmijëve tanë në testimin e radhës.
Disa veprime veçse i kemi ndërmarrë siç janë: -Fillimi i rishikimit të teksteve shkollore, -Miratimi i ligjit për Edukimin në Fëmijërinë e Hershme, -Hartimi i Kurrikulës së re për Edukimin në fëmijërinë e hershme dhe pilotimi i saj ka nisur javë më parë. -Zhvillimi në karrierë i mësimdhënësve; -Udhëzimet administrative që kanë të bëjnë me licensimin dhe avancimin në karrierë të mësimdhënësve; Siç edhe e kemi thënë, si Ministri, jemi fokusuar tek përmirësimi i politikave dhe angazhimi për përmirësim të cilësisë, rezultatet e të cilave nuk mund të shihen menjëherë. Ndikimi i këtyre politikave dhe intervenimeve në sistem të arsimit mund të vërehet në ciklin tjetër të PISA.