Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, ka prezantuar kandidaturën e Feride Rushitit për presidente, duke vlerësuar kontributin e saj shumëvjeçar në mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe fuqizimin e viktimave të luftës, raporton Ekonomia Online.
Nagavci theksoi se Rushiti ka udhëhequr programe të rëndësishme për fuqizim ekonomik dhe riintegrim social, si dhe ka luajtur rol kyç në avancimin e mekanizmave kundër torturës dhe përfaqësimin e Kosovës në arenën ndërkombëtare.
“Ajo udhëhoqi programe të fuqizimit ekonomik dhe riintegrimit social me qëllim rikthimin e dinjitetit dhe pavarësisë së tyre. Nga viti 2007 e tutje, doktoreshë Rushiti ka dhënë kontribut të veçantë edhe në parandalimin e torturës dhe mbrojtjen e të drejtave të personave të privuar nga liria. Nën drejtimin e saj, Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës ka realizuar monitorime dhe raporte të rregullta mbi standardet e të drejtave të njeriut në institucionet korrektuese, policore dhe të shëndetit mendor në Kosovë. Ajo ka kontribuar gjithashtu në avancimin e zbatimit të protokollit të Konventës së OKB-së kundër torturës dhe në nismat për krijimin e mekanizmave kombëtarë të parandalimit. Veprimtaria e saj është shtrirë edhe në nivel ndërkombëtar, ku ka përfaqësuar Kosovën dhe çështjen e viktimave të luftës në konferenca e forume në Neë York, Londër, Hagë, Luksemburg dhe në vendet e rajonit, duke promovuar drejtësinë tranzicionale, të drejtat e njeriut dhe reparacionet për viktimat. Për kontributin e saj të jashtëzakonshëm, Doktoreshë Feride Rushiti është nderuar me çmimin prestigjioz International Ëomen of Courage Aëard nga Departamenti Amerikan i Shtetit. Çmim ky që u jepet grave me lidership dhe guxim të veçantë në promovimin e paqes, drejtësisë dhe të barazisë. Në vitin 2025, ajo u nominua edhe për Çmimin Nobel për Paqe si vlerësim për dekada të tëra pune në mbrojtje të dinjitetit njerëzor, drejtësisë për viktimat dhe ndërtimit të paqes së qëndrueshme. Përtej arritjeve personale, nën lidershipin e saj, QKRMT-ja është shndërruar në një shkollë profesionale dhe humane ku janë formuar qindra profesionistë që kanë vazhduar të japin kontribut në institucionet publike, organizata vendore dhe nisma ndërkombëtare. Doktoreshë Feride Rushiti mbetet një ndër figurat më të rëndësishme të shoqërisë civile në Kosovë dhe një simbol i përkushtimit të palëkundur për drejtësi, dinjitet dhe të drejta të njeriut”, tha ajo.
