Nagavci reagon ndaj Simiqit: Nuk duam deklarata kundërkushtetuese në Kuvend

Prishtinë | 09 Sht 2026 | 13:51 | Nga Ekonomia Online

Deputetja e LVV-së, Arbërie Nagavci, ka folur në lidhje me deklarimin e deputetit të Listës Serbe, Igor Simiq, se propozimi i tyre për nënkryetar të Kuvendit bëhet “në emër të popullit serb”, raporton Ekonomia Online.

Mirëpo, në një prononcim për media në hollin e Kuvendit, deputetes së LVV-së iu bë e ditur se Simiqi, edhe në të kaluarën kishte bërë deklaratë të tillë në Kuvend.

“Janë deklaruar në Kuvend?”, pyeti e habitur Nagavci.

“E para, deklarata e deputetit Simiq në foltoren e Kuvendit të Republikës së Kosovës, e cila propozimin e bën në emër të “popullit serb”, paraqet problem. Unë e thash tash menjëherë; në momentin që kryetarja na dha fjalën, kërkova që ta tërheqë fjalën në mënyrë që të mund të vazhdojmë ashtu siç duhet. Ndërkohë, patë deputetë që nuk e konsideruan që është problematike, por të njëjtën gjë e diskutuam edhe në zyrën e Kryetares së Kuvendit. Aty i kërkova që të tërhiqet kjo fjalë sepse bie ndesh me Kushtetutën, pasi Republika e Kosovës është shtet i qytetarëve të saj, ku, siç e dimë të gjithë, shumica shqiptare përfaqëson popullin e Kosovës. Kjo është çështja e parë”, ka thënë Nagvaci.

Pastaj, shtoi se “unë mund të deklaroj që, si deputete, me aq sa kuptoj gjuhën serbe, në deklaratën e menjëhershme të deputetit, unë kam reaguar menjëherë te kryetarja e Kuvendit dhe në diskutim me deputetët tjerë”, ka thënë ajo.

“Kjo do të thotë se një çështje e tillë duhet të adresohet, besoj se është e qëllimshme sepse, ndërkohë që deputeti Gruda tha se kjo nuk paraqet asnjë problem, pastaj zonja Vlora Çitaku në takim te kryetarja e Kuvendit e pa si problem një deklaratë të tillë… pra, përtej asaj, ne jemi të interesuar që në këtë kuvend të mos ketë deklarata të tilla kundërkushtetuese”, theksoi Nagavci.

“Çështja e dytë ka të bëjë me dy propozime të dy partive të tjera politike: propozimin e PDK-së për znj. Vlora Çitaku dhe propozimin e LDK-së për z. Kujtim Shala. Të gjithë jemi dëshmitarë që të dy deputetët, ndërkohë që kërkojnë votë për veten e tyre, kemi deklaratat publike se nuk do të marrin pjesë në votimin e presidentit, duke na çuar në këtë mënyrë drejt një bllokimi. Për Lëvizjen Vetëvendosje është shumë e rëndësishme që të kemi edhe konstituimin e Kuvendit, edhe zgjedhjen e Qeverisë, por edhe votimin e Presidentit në kohën sa më të shkurtër të mundshme. Natyrisht, në këtë situatë presim që të kemi konsultime dhe diskutime në mënyrë që të konstituohet Kuvendi, e pastaj edhe të votohet Qeveria dhe Presidenti”, shtoi Nagavci.

Të ngjashme