Nagavci: Serbia vazhdon me pretendime territoriale, Radojiçiq mbetet i lirë

Prishtinë | 15 Tet 2026 | 10:41 | Nga Ekonomia Online

Shefja e Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Arbërie Nagavci, ka kritikuar Serbinë për pretendimet territoriale ndaj Kosovës dhe për faktin se Milan Radojiçiq, të cilin e cilësoi si organizator të sulmit në Banjskë, vazhdon të jetë i lirë në Serbi, raporton Ekonomia Online.

Nagavci tha se, derisa Kosova vazhdon bashkëpunimin me Bashkimin Evropian, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe NATO-n për sigurinë rajonale, Serbia, sipas saj, vazhdon ndërhyrjet politike dhe tolerimin e krimit të organizuar.

“Më 9 tetor, në Kragujevc, kryet terroristi Milan Radojiçiq u shfaq pranë djalit të Aleksandër Vuçiqit në tubimin e Partisë Progresive Serbe. Organizatori i sulmit terrorist të Banjskës, ku u vra heroi ynë, rreshteri Afrim Bunjaku, i sanksionuar ndërkombëtarisht për lidhje me krimin e organizuar dhe korrupsionin, dhe ndaj të cilit është lëshuar fletë-arrestin ndërkombëtar përmes Interpolit, vazhdon të jetë i lirë në Serbi”, tha ajo.

Ajo theksoi se Radojiçiq, sipas saj, është shfaqur pranë familjes së presidentit serb në një kohë kur në Serbi po zhvillohen protesta kundër korrupsionit dhe keqqeverisjes.

“Kjo ndodh kur protestat kundër korrupsionit dhe keqqeverisjes kanë tronditur pushtetin e Vuçiqit, ndërsa pranë familjes së tij shfaqet një figurë e sanksionuar për lidhje me rrjetet kriminale dhe me veprimtari terroriste. Radojiçiq e ka pranuar organizimin e grupit që sulmoi policinë e Kosovës më 24 shtator 2023”, tha ajo.

Nagavci kritikoi gjithashtu Serbinë për mosdorëzimin e Radojiçiqit te autoritetet e Kosovës dhe për moszbatimin e fletarrestimit ndërkombëtar.

“Ndërkohë që Serbia nuk e ka dorëzuar paradrejtësisë së Kosovës dhe nuk ka ekzekutuar fletë-arrestimin ndërkombëtar. Çfarë shteti është ky në mes të Evropës? Shtet i papërgjegjshëm, i padenjë për çdo lloj marrëdhënie ndërkombëtare. Më 7 tetor, ndërkaq, në Rashkë, Ivica Daçiq deklaroi se flamuri serb do të valvitet mbi Prizren dhe se Kosova mund të jetë e pushtuar, por kurrë e pavarur. Ne nuk habitemi. Këto nuk janë vetëm deklarata elektorale, por vazhdimësi e pretendimeve territoriale nga të cilat Beogradi nuk ka hequr dorë. Edhe nderimet publike për Ratko Mladiqin, të dënuar për gjenocid, e dëshmojnë këtë trashëgimi politike”, tha ajo.

Të ngjashme