Nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, Arbërie Nagavci, thotë se vendimi i Gjykatës Kushtetuese në lidhje me rastin e Etem Arifit është i një rëndësie të jashtëzakonshme.
Kushtetuesja përfundoi sot seancën në lidhje me këtë çështje ku dëgjoi argumentet e palëve, dhe kryetarja e saj njoftoi se sapo të merret vendimi opinioni do të njoftohet.
Nagavci nëpërmjet një shkrimi në Facebook, thotë se legjitimimi i deputetëve të zgjedhur në mënyrë të kundërligjshme, legjitimon krimin dhe kriminelët në Kuvend.
“Shitblerja e votës përveç se me favore e të mira publike do të bëhet e zakonshme edhe me paratë e krimit. Kjo s’duhet lejuar dhe s’guxon të ndodhë. Ligji për Zgjedhjet e Përgjithshme e përcakton qartë që dënimi i një anëtari të Kuvendit për vepër penale është pengesë absolute, dhe tutje e ndalon shprehimisht kandidimin për t’u zgjedhur deputet të një shtetasi të Kosovës nëse është shpallur fajtor për vepër penale me një veprim të prerë në tre vitet e fundit. Vendi ka nevojë urgjente për zgjedhje të reja, çkapje të institucioneve e rregullim politik dhe njëkohësisht dhe për rregullim të gjendjes juridike”, shkruan Nagavci.