Naim Murseli deklarohet i pafajshëm për vrasjen e Liridona Ademajt

Prishtinë | 31 Jan 2025 | 12:40 | Nga Ekonomia Online

Naim Murseli u deklarua i pafajshëm për vrasjen e bashkëshortes së tij Liridona Ademajt, Granit Plava nuk u deklarua rreth fajësisë, kurse Kushtrim Kokalla tha se nuk deklarohet pa u konsultuar me mbrojtjen. Kurse, fajtor u deklarua i akuzuari Tom Dodj.

Naim Murseli, Granit Plava, Kushtrim Kokalla dhe Tom Dodaj, ngarkohen për rastin e vrasjes së Liridona Ademajt më 29 nëntor 2023.

Deklarimin rreth fajësisë, të akuzuarit e bënë të premten në Gjykatën Themelore në Prishtinë, pas leximit të aktakuzës nga prokurorja Javorka Perlinçeviq, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Gjatë leximit të aktakuzës, prokurorja tha se bën precizimin e kualifikimit juridik për të akuzuarit Murseli, Plava dhe Kokalla, ku fshihet neni 34 dhe mbetet si formë e bashkëpunimit vetëm neni 31 (bashkëkryerja), pjesa tjetër e dispozitivit (për veprën penale të vrasjes së rëndë) mbetet e pandryshuar.

Po ashtu, u bë precizimi i kualifikimit juridik edhe për veprën penale “Moslajmërim i veprave apo kryerëvsve të tyre”, ku u largua po ashtu neni 34. Me këtë vepër ngarkohet i akuzuari Kokalla.

Më pas, Naim Murseli u deklarua i pafajshëm, Granit Plava nuk u deklarua, Kushtrim Kokalla refuzoi të deklarohet me arsyetimin se do të konsultohet me mbrojtësin, kurse Tom Dodaj pranoi fajësinë.

“Plotësisht i pafajshëm”, deklaroi Murseli.

“Nuk dua të deklarohem, siç thash më herët pa u konsultuar me avokatin tim”, tha Kokalla.

“Në mënyrë vullnetare, deklarohem i fajshëm”, tha Dodaj.

Prokurorja tha se e pranon fajësinë nga i akuzuari Dodaj pasi është bërë në mënyrë vullnetare dhe në përputhje me provat materiale. Edhe mbrojtësi i Dodajt, avokati Agron Kuqi kërkoi nga Gjykata t’ia aprovojë pranimin e fajësisë.

Në anën tjetër, avokati i palës së dëmtuar, Leotrim Sylaj, tha se e mirëpresin pranimin e fajësisë nga ana e të akuzuarit Dodaj, duke kërkuar që të aprovohet i njëjti.

“Pajtohem me fjalët e avokatit tonë të autorizuar, mirëpresim pranimin e fajësisë”, tha Leonard Ademaj.

Më pas gjykatësja Dermaku mori vendim me të cilin aprovoi pranimin e fajësisë për të akuzuarin Dodaj dhe ndaj tij u veçua procedura. Kështu që shpallja e aktgjykimit për të do të bëhet pas 10 minutash.

Paraprakisht, para leximit të aktakuzës, i akuzuari Kokalla tha që nuk deklarohet pa u konsultuar me avokatin e tij, pasi nuk i ka kuptuar të drejtat e tij.

“Nuk deklarohem pa u konstultuar me avokatin”, tha Kokalla.

Por, gjykatësja Fatime Dermaku i tha se kanë pasur kohë të mjaftueshme ta bëjnë këtë, duke shtuar se mosdeklarimi i tij nuk merret si pranim i fajësisë, dhe u vazhdua me leximin e aktakuzës.

Në fillim të seancës, prokurorja Javorka Perlinçeviq bëri të ditur se mbrojtja e të akuzuarve dhe palët tjera kanë pranuar shkresat e lëndës, por që ka pasur ankesa se nuk janë hapur CD.

Por, Prokuroria përmes e-mailit i ka njoftuar dje mbrojtësit se të gjitha shkresat në CD i kanë në një disk të jashtëm, por që sipas prokurores nga momenti që është dërguar e-maili nuk kanë marrë përgjigje. Prandaj, tha se konsiderojnë që mbrojtja i ka pranuar shkresat.

Kurse, gjykatësja e rastit, Fatime Dermaku tha se ka pranuar një njoftim nga avokati i Kokallës, Ndrecë Dodaj që CD nuk hapen, prandaj tha se për këtë e ka njoftuar prokuroren.

“Unë i kam provu sot në mëngjes CD dhe ato hapen dhe janë pjesë interehrale e diskut të jashtëm dhe kam kërkuar nga mbrojtësit në mëngjes që t’i marrin CD me vete”, tha Dermaku.

Gjyqtarja tha se lidhur me këto pretendime kanë ftuar edhe IT e gjykatës, që të verifikojë nëse ato hapen ose jo.

Por, që avokati Dodaj tha se pakënaqësitë e tij i ka paraqitur në seancën e kaluar, duke shtuar se ka provuar edhe në kompjuterë të tjerë por që DVD nuk i është hapur.

“Bashkëpunëtorët e mi kanë shkuar tek ekspertët e IT për defektet që ekzistojnë, disa hapen dhe disa faqe nuk janë përkthyer nga serbisht në shqip dhe nga gjuha suedeze në shqip”, tha Dodaj.

Por, i pyetur nga gjykatësja nëse i është hapur eksternal disku, avokati tha “Unë nuk rri kujdestar para kompjuteri, deri në ora 16:00 nuk e hap kompjuterin se jam në gjykim. Nga ora 16:00 deri në kohën e gjumit është kohë personale e imja dhe unë nuk merrem me çështje teknike”.

Më pas, gjykatësja Dermaku kërkoi nga IT i gjykatës që të marrë CD e mbrojtësit dhe të verifikojë faktin nëse e njëjta hapet.

Të ngjashme