Albin Kurti, ky zotni kryeministri i Kosovës, në seancën e fundit të Kuvendit, ku po flitej për dialogun, me dhelpërinë e tij dhe sensin prej mashtruesi që e shquan, serish e futi opozitën parlamentare në grackë.
“Kur të flisni me Eskobarin, paramendojeni Albin Kurtin në vend të tij dhe thuajani atij këto që mi thoni mua”, tha Kurti duke lënë të kuptohet se këta, demek opozita nuk e kanë guximin e tij për të kundërshtuar Amerikë!!!
Përkthyer në diskurs normal dhe racional politik, kjo donte të thoshte, se ata, pra opozita nuk mund t’i shisnin trimëri Amerikës siç bënte dhe bënë, ky kryeministri “ynë” Naltmadhnia e Tij, i zbritur nga qielli!
Per habinë e shumëkujt besoj, e sidoqoftë për habinë time, në vend që të dëgjoheshin të qeshura pas kësaj çmendurie dhe këtyre fjalëve të komedianit Kurti dhe të injoroheshin tërsisht edhe ai edhe ato që tha, filloi një garë idioteske se cili ishte më “trim” me Amerikën???!!!
“Kërko stenogramet në Departamentin e Shteti nga takimi im me Escobar dhe do shohesh se atij i kam folur shume më ashpër se ti”, iu drejtua Kurtit njëri nga liderët opozitarë. Nuk ka dyshim se Kurti priste pikërisht këtë lloj reagimi.
Kurti, me plot vetëdije, ndërsa liderët opozitarë pavetëdijshëm dhe në mënyrë shumë naïve, nisën kështu lojën e rrezikshme në stilin “hajde matemi cili është më trim me Amerikën”. Atë lojën e fëmijve “Ma mujte, ta mujta”.
A po kthehet në diskurs politik gara e konfrontimit me Amerikën dhe shitjes së trimërisë” në këto raporte?! Opozita duhet ta kuptojë që Albin Kurti pikërisht këte do. Prandaj u bënë ftesë liderëve opozitarë që t’i bashkohen çmendurisë së tij politike.
Është koha e fundit që, për të mirën e Kosovës dhe të ardhmën e saj, opozita jonë parlamentare të këndellet!