Nëse në stolin e Napolit do të ishte ndonjë trajner tjetër përveç Massimiliano Allegrit, ndoshta do të ishte shkarkuar. Shifrat e skuadrës napoletane në këtë fazë të sezonit janë të tmerrshme; 5 humbje në 9 ndeshje me vetëm 3 fitore.
Dhe është krijuar ndjesia e një skuadre që ka prekur fundin, pa motivim dhe me shumë pak uri për suksese. Humbja ndaj Venezias, sidomos për mënyrën sesi erdhi, ka ndezur sirenat e alarmit; në pak ditë, Massimiliano Allegri do të luajë të ardhmen e tij. Në fillim është Bodo/Glimt dhe më pas ndeshja me Romën; dy impenjime shumë të rëndësishme që do të thonë shumë.
Allegri kërkon qetësi, por është shumë e vështirë; tifozët e Napolit janë të zemëruar. Dhe kur edhe një si De Bruyne që u rivendos në qendër të projektit nga De Laurentiis, humbet penallti, bëhet shumë e vështirë. Trajneri livornez është në shënjestrën e të gjitha të përditshmeve që e kanë ‘ngelur në klasë’.
‘Disa zgjedhje janë të pashpjegueshme-shkruante Il Mattino-vonon 1 orë për të larguar një nga qendërmbrojtësit e padobishëm. Gabon në çdo zgjedhje të formacionit bazë duke përfshirë edhe lojtarët që duhet të jenë pjesë e rotacionit. Hedh në fushë një dyshe sulmuese që në një vit kanë shënuar 2 gola dhe që nuk e shohin kurrë portën kundërshtare. Kur bërtet, nuk ka asnjë futbollist që kthehet nga pankina’.
Janë këto rreshta, që përmbledhin akuzat ndaj Allegrit; rotacion i gabuar, shumë pak ide ofensive dhe goli i radhës i dhuruar. Pa harruar këtu kapitullin e dëmtimeve. Ndaj Venezias pati probleme fizike edhe Alisson Santos. Kriza është e dukshme dhe Allegri ka përgjegjësinë e tij. Tani ai do të këtë pak ditë për të përmbysur të gjithë këtë situatë dhe të ruajë postin e tij në pankinë. Pas ndeshjes me Romën, De Laurentiis do të studiojë situatën; duhet me çdo kusht rezultatet.