Amir Rrahmani do të mundohet t’i ndihmojë Napolit ta ruajë ecurinë pa humbje këtë sezon në Serie A, kur skuadra e Luciano Spallettit ta vizitojë Salernitanan sonte në Salerno.
Takimi i javës së 11-të mes Salernitanas dhe Napolit zhvillohet në Stadiumin Arechi në Salerno, në orën 18:00, raporton Gazeta Express.
Napoli vijon të jetë lider i Serie A me nëntë fitore dhe një barazim në 10 ndeshjet e para, baras me pikë me Milanin.
Por skuadra e Spallettit, për të cilën Rrahmani do ta bëjë paraqitjen e tetë si titullar këtë sezon, do të kërkojë fitore me patjetër, duke shpresuar se Roma do ta ndalë Milanin sonte më vonë.
Salernitana, klubi i kthyer në Serie A pas 23 vjetëve, është e parafundit në tabelë pas një ecurie të dobët të rezultateve në elitë.
Që prej se Rrahmani e zuri vendin e titullarit në shtator dhe e formoi partneritetin me Kalidou Koulibaly në qendër të mbrojtjes, Napoli e ka pranuar vetëm një gol në Serie A në shtatë ndeshje.
Kapiteni i Kosovës, përveç ndihmës së madhe në mbrojtje, iu ka ndihmuar napolitanëve edhe me dy gola.
Për më tepër, disiplina e tij në fushë sështë shembullore, sepse prishtiani nuk është ndëshkuar me asnjë karton këtë sezon në ligë.