Napoli është skuadra që do të përballet me Juventusin në finale të Kupës së Italisë. skuadra e Gennaro Gattusos arriti të kalojë Interin pas vbarazimit 1-1 në San Paolo, ndërkohë që ndeshjen e parë në San Siro, Napoli e kishte fituar 1-0 duke u kualifikuar për herë të 10 në finalen e këtij kompeticioni.
Interi zhvilloi një pjesë të parë më të mirë teksa e mori avantazhin që në minutë të 2 me Eriksen direkt nga goditja e këndit. Zikaltrit krijuan edhe raste të tjera për të shënuar golin e dytë me Ospinën që shpëtoi në Napolin në disa raste, por në minutën e 41 ishte Napoli ai që gjeti rrugën e rrjetës teksa barazoi rezultatin në 1-1 me Dries Mertens që bëhet shënuesi më i mirë në historinë e Napolit me 122 gola duke kaluar Marek Hamsik.
Pjesa e dytë ishte Napoli që kërkoi më shumë, por edhe Interi pati momentet e tij në portën e vendasve. Në fund rezultati mbeti 1-1 me Napolin që kaloi në finale ndaj Juventusit ndaj të cilit Trajneri Gattuso do të kërkojë revanshin për humbjen në finalen e 2 viteve më parë 4-0 kur ai ishte në stolin e Milanit. Përsa i përket Contes, ky në Kupën e Italisë është eliminimi i dytë sezonal, pas atij në fazën e grupeve të Ligës së Kampioneve duke zbritur në Europa League.