Motori i “pamundur”, “EmDrive” që është në gjendje të prodhojë energji nga asgjëja kalon testet e para në qendrën “Johnson” të NASA-s.
Rezultatet e para të publikuar në revistën shkencore “Journal of Propulsion and Power” tregojnë se kjo pajisje, që është në gjendje të thyejë disa nga parimet thelbësore të fizikës, funksionon ndonëse është ende shumë e dobët.
Madje këto të dhëna po fillojnë të joshin krejt komunitetin shkencor por dyshimet janë edhe shumë.
“Duket shumë e bukur për të qenë e vërtetë. Në këtë rast do të ishte një revolucion për krejt njerëzimin”, deklaron eksperti i pronësorëve hapësinorë, Giancarlo Genta, i Politeknikut të Torinos, raporton sot agjencia e lajmeve ANSA.
Lindur nga një ide e inxhinierit britanik, Roger Shawyer, motori “EmDrive” është në gjendje të prodhojë lëvizje pa pasur nevojë për asnjë lloj shtytësi. Një teknologji, që nëse do të funksionojë me të vërtetë, do të revoluciononte krejtësisht botën e fizikës.
I pritur fillimisht me ftohtësi nga shkencëtarët, “EmDrive” po krijon hapësirë gjithnjë edhe më të madhe në debatin shkencor.
Testet e kryera këto vite i kishin lënë hapësirë kritikëve por matjet e reja që u kryen në qendrën “Johnson” mund të jenë një pikë nisje e re.
“Ndonëse shtyrja fillestare është shumë e vogël, duket sa ka me të vërtetë potencial”, shtoi Genta.
“Është normale që ka ende shumë dyshime mbi këtë, është një skepticizëm i shëndetshëm”, vazhdoi ai.
“Por tani ka një studim të publikuar në një revistë me emër dhe nga një institucion që vë në lojë autoritetin e tij”, theksoi eksperti.