Nasim Haradinaj nga Organizata e Veteranëve të Luftës, ka shprehur dyshimet e tij në lidhje me kërcënimet që çuan prokurorin special Elez Blakaj drejt dorëheqjes.
“Nuk dua te prejudikoj dhe më vjen keq nëse i ka ndodhur ajo prokurorit Blakaj, mirëpo nuk besoj se Blakaj është frikësuar”.
“Nuk e besoj që ai ka qenë naiv. Kur e ka pranuar lëndën ka pas njohuri se çka po merr në dorë. Unë uroj që rasti Blakajt që mos jetë rast që kjo çështje të përfundojë, e të mos këtë guximin askush që të marrë rastin”, ka thënë Haradinaj në Klan Kosova.
Haradinaj, ndonëse nuk ka dashur të spekulojë sa i përket shifrave, ka thënë se numri i listave të veteranëve është i fryrë dhe se fajtor për këtë është politika.
“Secila degë, secili shtab dhe secila zonë ka sjellë listat e veta dhe ata kanë pergjegjësinë dhe meritën”.
“Megjithatë ky numër është tejkaluar dhe nuk mund të qëndrojë. Kjo është bërë më tepër për çështje politike. Politika ka qenë fajtori kryesor për rritjen e tyre. Secila parti është munduar ta përdorë këtë status për çështje politike, dhe e kanë shndërruar statusin e veteranit në votë”.
Përfaqësuesi i OVL-së gjithashtu ka shfaqur habinë se si në listën e veteranëve figurojnë 150 persona të cilët gjatë luftës ishin dhjetëvjeçarë.
Haradinaj kërkoi që hetimi të përfundojë sa më shpejtë, në mënyrë që të ketë një vendim ligjor që do të qartësojë tërë situatën e krijuar me listat e veteranëve.