Deklarata e mbrëmshme e nënkryetarit të OVL-së së UÇK-së, Nasim Haradinaj, lidhur me vrasjet e anëtarëve të LDK-së, shkaktoi reagime te familjarët e të vrarë, si dhe te deputetët e LDK-së
Indeksonline ka kontaktuar me Nasim Haradinajn i cili ka thënë deklarata e tij për vrasjet e e pasluftës është nxjerrë nga konteksti.
“Nuk mund të vritet dikush dhe pastaj vrasja e asaj partie të quhet vrasje politike, në atë kohë shumica kanë qenë anëtarë të partisë së LDK-së, kështu që në kontekstin e asaj kam thënë se pse ka qenë anëtar i LDK-së,nuk ka nevojë me u viktimizu partia që të cilësohet politike kur ende nuk është marrë një vendim. Po keqpërdoren njerëzit ku po bëhen viktima dhe po luajnë me tragjedi familjare dhe po bëjnë përfitime politike nga njerëzit. Pra në këtë kontekst për mua nuk luan rol a është i LDK-së, a është i PDK-së, a i cilës parti dhe pastaj ta quajmë politike kur ka persona në parti, që më së paku ju kanë dhimbsur ata njerëz”, ka thënë Haradinaj.
Vajza e Xhemajl Mustafës, zyrtarit të LDK-së të vrarë në vitin 2000, Beriana, i ka bërë thirrje kryeministrit Ramush Haradinaj që të distancohet nga deklarata e përfaqësuesit të Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Nasim Haradinaj. Ndërsa nga OVL e UÇK ka kërkuar ta shkarkojnë Nasim Haradinaj, në të kundërtën kjo nënkupton qe edhe ata janë në mendim të njëjtë me të.
Reagim të ashpër ka pasur edhe nga deputeti i LDK-së, Armend Zemaj, i cili Haradinajn e quajti “plehër e përfitues fondesh”.
Nasim Haradinaj nuk e sheh të nevojshme të kërkojë falje për këtë deklaratë.
“Jo, për çka falje? Në cilin kontekst falje? Deklarata ime është citu gabimisht, është citu një theks i vogël, nuk po komentohet deklarata komplet. I kuptoj se janë të manipuluar politikisht, fatkeqësisht dhe prapë po e citoj nëse partia cilado qoftë e shfrytëzon rastin dhe tragjedinë familjare, për mua është punë e madhe atëherë”, ka shtuar Haradinaj.
Sipas tij, është dobësi familjare që t’i lejojë partitë t’i keqpërdorë njerëzit.
“Shkarkimin tim e bën vendimi, mbledhja. Pra e bëjnë edhe shkarkimin edhe ngarkimin. Nuk munden ata me kërku, kush janë ata? Ata duhen me e lyp shkarkimin e njerëzve në politikë, që po i keqpërdorin familjet. Nëse duhet me bë shkarkim moral e çfarëdo janë ata në parti, që po keqpërdorin familje”, ka përfunduar nënkryetari i OVL-UÇK-së.