Liga e Kampionëve do të rikthehet sonte me ndeshjet e fundit dhe vendimtare të Grupeve A, B, C e D.
12 skuadra e kanë siguruar kualifikimin në të tetën e finales deri tash, ndërsa katër të tjera do ta kompletojnë këtë fazë me ndeshjet që do të luhen sonte dhe nesër mbrëma.
Grupi A do të jetë mjaft interesant sonte.
Tri skuadra janë në garë për ta kapur pozitën e dytë, e cila çon në fazën eliminuese.
Copenhagen do ta ketë një përballje direkte për këtë pozitë me Galatasarayn.
Danezët aktualisht janë në vendin e dytë me 5 pikë, sa i kanë edhe turqit, që janë të tretit, kurse Manchester United e gjen veten në vendin e fundit me një pikë më pak.
Copenhagen do të shkonte tutje edhe me një barazim ndaj Galatasarayt, me kusht që “Djajtë e Kuq” nuk do të fitojnë kundër Bayern Munichut në shtëpi.
Nga ana tjetër, turqit me një fitore do ta siguronin kualifikimin.
E United duhet të fitojë ndaj gjigantit bavarez, i cili e ka siguruar tashmë kualifikimin, dhe të shpresojë në një barazim në Danimarkë.
Në Grupin C, Real Madridi ka ecur tutje dhe do të udhëtojë i qetë në Gjermani, ku e pret Union Berlini.
Kurse, Napolit do t’i mjaftonte një barazim ose me një humbje me jo më shumë se një gol diferencë kundër Bragës sonte.
Italianët i kanë tri pikë më shumë se ekipi portugez, të cilit i duhet fitorja me dy e më shumë gola epërsi ndaj Amir Rrahmanit me shokë, për ta prerë biletën për të tetën e finales.
Në Grupet B dhe D tashmë dihen skuadrat që kanë ecur tutje.
Në B, Arsenali e PSV-ja, kurse në D, Real Sociedadi e Interi.
Nënkampioni evropian do ta kërkojë fitoren sonte ndaj ekipit të La Ligas për ta mbyllur si lider fazën e grupeve.
Natyrisht, sonte do të përcaktohen edhe skuadrat që do të përfundojnë në Ligën e Evropës nga Grupet A,B,C e D.
Pjesa dërrmuese e ndeshjeve të sontme do të nisin në orën 21:00.