NATO dhe Serbia me ushtrime të përbashkëta të emergjencave civile

Prishtinë | 08 Tet 2018 | 12:47 | Nga Ekonomia Online

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, së bashku me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, morën pjesë në ceremoninë e hapjes së stërvitjeve të emergjencave civile në qytetin Mlladenovac, 50 kilometra larg Beogradit.

“Është shumë kënaqësi të gjendem këtu dhe të shoh se si Serbia dhe NATO-ja punojnë së bashku. Ky është ushtrimi më i madh i këtij lloji dhe hera e parë që po mbahet në Serbi”, tha Stoltenberg.

Stërvitjet “Serbia 2018” organizohen bashkërisht nga NATO, Qendra Evropiane për Koordinimin e aktiviteteve në ofrimin e përgjigjeve ndaj emergjencave dhe Ministria e Brendshme e Serbisë.

Stoltenberg tha se ushtrimet “Serbia 2018” nuk janë ushtarake, por civile dhe një mundësi për testimin e teknologjisë së re.

“Ushtrimet janë në shërbim të NATO-s, Serbisë dhe rajonit. Ajo që mësojmë këtu, na ndihmon të jemi më të përgatitur”, tha Stoltenberg.

Në këto stërvitje civile marrin pjesë 2,000 shërbyes nga 38 vende.

“Më vjen mirë që njerëz nga 38 vende mund t’i ndihmojnë njëri-tjetrit. Bëhet fjalë për shpëtimin e jetës dhe ndihmën ndaj njëri-tjetrit. Vërshimet kanë treguar rëndësinë e bashkëpunimit ndërkombëtar dhe reagimit të shpejtë. Detyrë e jona është t’i ndihmojmë të tjerët nëse gjenden në situatë të njëjtë”, tha në hapje të ushtrimeve presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Ai potencoi se Serbia “duhet të bashkëpunojë me NATO-n, pavarësisht së kaluarës”.

“Shumë kush ka pyetur: çfarë ju duhet NATO?! Serbia është neutrale në aspektin ushtarak, por ka dhe do të ketë bashkëpunim të mirë me NATO-n. Do të ketë raporte të mira, sikurse me Rusinë dhe vendet tjera”, tha Vuçiq.

Në vazhdim të vizitës në Serbi, të cilën e nisi më 6 tetor, Stoltenberg do të bisedojë në Beograd me presidentin Vuçiq për raportet e Serbisë me NATO-n në kuadër të dialogut që e organizon Forumi për Siguri.

Me të arritur në Beograd, ai bisedoi me studentë të Fakultetit Filologjik, ndërsa në një deklaratë për televizionin publik serb theksoi rëndësinë e vazhdimit të dialogut midis Prishtinës dhe Beogradit.

“Dialogu është i nevojshëm për t’i kapërcyer dallimet dhe për të gjetur një zgjidhje politike. NATO e mbështet këtë dialog jo vetëm në aspektin politik, por edhe për arsye se kemi prezencë në Kosovë përmes KFOR-it, detyra e të cilit është ofrimi i sigurisë. Edhe më tutje do të jemi aty për t’i mbrojtur të gjitha komunitetet”, tha Stoltenberg.

Të ngjashme