Këshilli i Atlantikut të Veriut u mblodh të mërkurën në formatin e KFOR-it, së bashku me partnerët që kontribuojnë me trupa, për të diskutuar me Komandantin e KFOR-it, gjeneralmajor Ozkan Ulutash.
Në raportimin e tij të fundit para Këshillit, të cilit iu bashkua përmes videolidhjes, Komandanti i KFOR-it dha një përditësim mbi përpjekjet e vazhdueshme të misionit për të ndihmuar në ruajtjen e një mjedisi të sigurt dhe të qëndrueshëm për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë, si dhe për të garantuar lirinë e lëvizjes.
“Gjeneralmajor Ulutash ndau gjithashtu vlerësimet e tij mbi përpjekjet në vazhdim për të optimizuar praninë dhe dislokimin e KFOR-it, proces ky që vjen pas përmirësimit të qëndrueshëm të situatës së sigurisë në Kosovë. Qëllimi i këtij procesi është të sigurohet që misioni të mbetet i përshtatshëm dhe i aftë për të përmbushur detyrën e tij”, u tha në njoftimin e NATO-s, raporton Klankosova.tv.
Procesi i optimizmit, sipas asaj që citohet të ketë thënë Ulutash, bazohet në kushtet në terren, po zbatohet gradualisht dhe do të jetë plotësisht i kthyeshëm në rast se zhvillimet e situatës së sigurisë e bëjnë të nevojshme.
“KFOR-i do të vazhdojë të ketë personel, pajisje, trajnim dhe organizim të përshtatshëm për të zbatuar mandatin e tij afatgjatë të Kombeve të Bashkuara. Misioni do të ruajë gjithashtu kapacitetet, gatishmërinë dhe fleksibilitetin e nevojshëm për t’iu përgjigjur një game të gjerë skenarësh të sigurisë”, thotë NATO në njoftim.
Më tutje, theksohet se Ballkani Perëndimor mbetet një rajon me rëndësi strategjike për Aleancën.
“Përkushtimi i NATO-s për të mbështetur sigurinë afatgjatë në Kosovë dhe stabilitetin rajonal mbetet i palëkundur”, theksohet në njoftim.
Po ashtu, u tha se NATO vazhdon të mbështesë fuqishëm dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Evropian për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, “si korniza për zgjidhjen e çështjeve të mbetura, duke respektuar të drejtat e të gjitha komuniteteve”.
Gjeneralmajor Ulutassh pritet të përfundojë mandatin e tij të dytë në krye të KFOR-it në mesin e tetorit. Pasardhësi i tij do të jetë gjeneralmajor Roberto Vergori nga Italia.