NATO e pengoi një pushtim rus në vitin 1980, a mund të funksionojë sërish

Prishtinë | 01 Dhj 2021 | 10:43 | Nga Ekonomia Online

Me rreth 100 mijë trupa, forca të blinduara, avionë sulmues, raketa dhe aftësi të tjera sulmuese, të “parkuara” përgjatë kufijve veriorë dhe lindorë të Ukrainës, Rusia duket se është përgatitur për një tjetër pushtim të fqinjes së saj.

Ndërsa presidenti i SHBA-së Joe Biden po përballet me këtë krizë, ekipi i tij i sigurisë kombëtare duhet të konsultohet me historinë, për të mësuar sesi ta pengojë Kremlinin nga sulmi ndaj një anëtari jo të NATO-s, por që është gjithsesi brenda sferës së tij të ndikimit.

Në fundin e vitit 1980, presidenti Jimmy Carter dhe ekipi i tij i sigurisë së kombëtare, ndaloi një pushtim të afërt të Polonisë nga Bashkimi Sovjetik. Më herët gjatë atij viti, lëvizja opozitare Solidarnost kishte fituar shumë ndikim, e nxitur nga pakënaqësia e popullatës ndaj pushtimit sovjetik, një ekonomi në krizë të thellë, dhe nga udhëheqja karizmatike e sindikalistit Lech Walesa.

Moska kishte frikë se do të humbiste kontrollin politik të Polonisë, dhe se trazirat mund të përhapeshin me shpejtësi në pjesën tjetër të Traktatit të Varshavës të kontrolluar nga sovjetikët. Prandaj vendosi një gatishmëri një numër të madh trupash.

Krahasuar me Ukrainën sot, situata e Polonisë në atë kohë ishte edhe më e frikshme. Kjo pasi ajo nuk kufizohej me asnjë shtet të NATO-s, ishte e rrethuar nga vendet e Bllokut Lindor, dhe Bashkimi Sovjetik kishte 2 divizione të stacionuara brenda territorit të saj.

Në fillim të dhjetorit 1980, shërbimi sekret amerikan po raportonte se sovjetikët kishin vendosur ta pushtonin Poloninë, dhe se një sulm mund të ndodhte në çdo kohë. “Lëvizja

e trupave është gjithëpërfshirëse në gati çdo front që rrethon Poloninë… Autokolonat, divizionet, regjimentet dhe komunikimet janë në një gjendje të avancuar gatishmërie”- shkruante në ditarin e tij Zbignieë Brzezinski, këshilltari i sigurisë kombëtare i Carter (dhe babai im), shënime që u botuan më vonë.

Për të penguar atë sulm të mundshëm, Carter dhe ekipi i tij i sigurisë kombëtare formuan një strategji rreth objektivave të mëposhtëm:mohimi ndaj Bashkimi Sovjetik i avantazhit të befasisë; qetësimi i situatës duke e bindur qeverinë polake dhe Solidarnost të shmangnin provokimin e njëra-tjetrës dhe Moskës, inkurajimi i të dyjave për të rezistuar në rastin e një pushtimi; bindja e Kremlinit që të hiqte dorë nga pushtimi përmes presionit ndërkombëtar, dhe duke ia bërë të qarta kostot e sulmit.

Administrata Carter përdori kanale të hapura dhe të fshehta komunikimi për të paralajmëruar udhëheqjen e Solidarnost dhe qeverinë polake. Duke shfrytëzuar lidhjet e tij me vendin e origjinës, Brzezinski i lindur në Varshavë, kontaktoi direkt me udhëheqësit e lëvizjes dhe madje edhe me Papa Gjon Palin II, edhe ai polak.

Vetë Papa i përforcoi këto paralajmërime përmes të gjithë rrjeteve sekrete të Kishës Katolike në Poloni. Udhëheqësit e Solidarnostit ndërmorën hapa për të mbrojtur veten, por nga ana tjetër mbyllën fabrikat dhe minierat, një sinjal ky drejtuar udhëheqësve sovjetikë mbi gatishmërinë e tyre për t’i rezistuar një pushtimi.

Ndërkohë, Shtëpia e Bardhë informoi dhe mobilizoi mbështetjen e aleatëve në NATO, dhe më gjerë. Carter angazhoi homologët e tij në Gjermani, Francë, Britani, Kanada, Japoni dhe Australi. Ai krijoi terrenin për një takim të shpejtë të Ministrave të Mbrojtjes dhe të Jashtëm të NATO-s në mesin e dhjetorit, ku pati një unitet dhe një vendosmëri të pazakontë.

Ministrat e Mbrojtjes e bënë të qartë se nëse pushtohej Polonia, NATO do të ndërtonte ushtrinë e saj përtej planeve ekzistuese. Ndërkohë, Ministrat e Jashtëm shqyrtuan një sërë sanksionesh të forta ekonomike dhe diplomatike që iu dhanë medias.

Ato përfshinin anulimin e të gjitha projekteve ekonomike në shkallë të gjerë, përfshirë një gazsjellës të ri që lidhte Siberinë dhe Evropën Perëndimore; pezullimin e kredive ekonomike për Bashkimin Sovjetik dhe Poloninë; vendosjen e një embargoje të plotë të grurit ndaj Bashkimit Sovjetik; pezullimin e gjitha dërgesave të makinerive dhe pajisjeve elektronike; imponimin e një bojkoti tregtar të plotë; ndalimin e ankorimit të anijeve sovjetike në portet perëndimore; pezullimin e bisedimeve për kontrollin e armëve; tërheqjen e ambasadorëve të vendeve aleate nga Moska, dhe kufizimin e kontakteve politike dhe kulturore-sociale me Bashkimin Sovjetik.

Më pas administrata Carter ia bëri të qartë Moskës se një pushtim i Polonisë, do të përshpejtonte trazirat diku tjetër në Bllokun Lindor, do të dëmtonte lidhjet e Moskës me partitë komuniste të Evropës Perëndimore dhe vendet e Lëvizjes së të Pa-angazhuarve, dhe se ai do të çonte edhe në intensifikimin e mëtejshëm të bashkëpunimit ushtarak SHBA-Kinë.

Besueshmëria e këtyre sinjaleve, u forcua nga një dislokimi i madh i forcave të NATO-s përgjatë kufirit të saj lindor: Më shumë se 20 divizione aleate u vendosën përgjatë Perdes së Hekurt, dhe shumë të tjera u përgatitën të shkonin aty si përforcime. Më shumë se 300 mijë trupa amerikane të dislokuara në Evropë, përbënin pjesën kryesore të atij fronti mbrojtës.

Ndërkohë, Carter rriti ndjeshëm ndihmën për muxhahidinët afganë në vitin 1980. Për pasojë, kriza filloi të zbutej nga fundi i dhjetorit, dhe u bë më vonë një nga sukseset e habitshme të Carter,që kishte humbur zgjedhjet e nëntorit përballë Ronald Reagan.

Sot, Biden dhe ekipi i tij i sigurisë kombëtare duhet të krahasojnë kontekstin e tyre aktual, qasjen dhe hapat e ardhshëm, për të penguar agresionin rus, me menaxhimin e krizës së vitit 1980 nga Carter. Në vija të përgjithshme ekzistojnë 3 dallime kryesore.

Së pari, prania e forcave të NATO-s përgjatë kufirit të saj lindor sot, është dukshëm më e vogël se sa ishte gjatë Luftës së Ftohtë. Ndërkohë Afganistani ndikon shumë ndryshe në krizën aktuale. Në vend se të nënvizojë unitetin e Aleancës dhe fuqinë e SHBA-së, tërheqja kaotike në gusht, nxiti përçarje dhe ngriti shumë pikëpyetje në lidhje me vendosmërinë ushtarake të SHBA-së.

Ndërsa administrata Biden po ndan informacione, dhe po koordinohet me Ukrainën dhe aleatët e saj, ajo nuk i ka artikuluar publikisht sanksionet diplomatike dhe ekonomike që do të ndërmarrë, nëse Rusia do të pushtonte përsëri Ukrainën. As NATO nuk e ka forcuar ndjeshëm pozicionin e tij ushtarak përgjatë kufirit të saj lindor.

Për rrjedhojë, Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj të NATO-s, nuk kanë sinjalizuar ende gatishmërinë e tyre për të ndërmarrë një përballje të rëndësishme ushtarake dhe ekonomike me Moskën.

Putin ishte në vitin e 5-të të karrierës së tij në KGB, kur Moska mendoi një pushtim të Polonisë. Ndërsa po rriten perspektivat e një pushtimi tjetër rus, NATO duhet të ketë sot të njëjtën vendosmëri, ai ajo që në vitin 1980 shmangu një pushtim sovjetik./ Ian Brzezinski,anëtar i Këshillit Atlantik.

Të ngjashme