NATO i siguron Ukrainës mbështetje të mëtejme, zgjeron trupat ushtarake në Evropë

Prishtinë | 24 Mar 2022 | 15:16 | Nga Ekonomia Online

NATO ka dënuar agresionin rus në Ukrainë dhe i ka bërë thirrje presidentit rus Vladimir Putin që ta ndalojë menjëherë pushtimin. Në deklaratën e përbashkët të aleancës, pas takimit të së enjtes, thuhet se “retorika eskaluese e presidentit Putin është e papërgjegjshme dhe destabilizuese”.

Ka shtuar se çdo përdorim i armëve kimike dhe biologjike nga Rusia do të jetë i papranueshëm dhe se “rezulton në pasoja të rënda”.

Shtetet anëtare janë pajtuar që të vazhdojnë ta mbështesin Ukrainën, si mbështetje politike ashtu edhe praktike gjatë luftës me Rusinë. Po ashtu, janë pajtuar ta ndihmojnë në fushën e sigurisë kibernetike dhe kundër kërcënimeve të natyrës kimike, biologjike, radiologjike dhe bërthamore.

“Ne jemi të bashkuar në vendosmërinë tonë për të kundërshtuar përpjekjet e Rusisë për të shkatërruar themelet e sigurisë dhe stabilitetit ndërkombëtar. Ne po mbajmë përgjegjëse Rusinë dhe Bjellorusinë. Rusisë i janë vendosur sanksione masive dhe kosto të rënda politike për t’i dhënë fund kësaj lufte”, thuhet në deklaratë.

Shtetet e NATO-s kanë bërë thirrje që ta mbrojnë rregullin ndërkombëtar që përfshinë sovranitetin dhe integritetin territorial dhe të ruhen nga mbështetja e Rusisë në çfarë forme, ndërsa këtu është përmendur Republika Popullore e Kinës.

NATO ka njoftuar se ka aktivizuar planet e mbrojtjes së saj, ka dërguar trupa në lindje dhe se ka aktivizuar katër njësitë ushtarake në Bullgari, Hungari, Rumani dhe Sllovaki.

“Ne po marrim të gjitha masat dhe vendimet për të garantuar sigurinë dhe mbrojtjen e të gjithë aleatëve në të gjitha fushat dhe me një qasje 360 gradëshe. Masat tona mbeten parandaluese, proporcionale dhe jo-përshkallëzuese. Tani do të përshpejtojmë transformimin e NATO-s për një realitet strategjik më të rrezikshëm, duke përfshirë miratimin e Konceptit të ardhshëm Strategjik në Madrid”.

Për shkak të kërcënimit të sigurisë euro-atlantike, NATO-ja thotë se do ta forcojë gjithashtu ndjeshëm parandalimin dhe qëndrimin afatgjatë të mbrojtjes dhe zhvillimin më tej të gamës së plotë të forcave të gatshme dhe kapaciteteve të nevojshme për të ruajtur mbrojtjen. “Këta hapa do të mbështeten nga ushtrime të zgjeruara me një fokus të shtuar në mbrojtjen kolektive”.

Të ngjashme